Britani-Kinë, gati nënshkrimi për centralin e parë të energjisë bërthamore

74
Presidenti kinez, Xi Jinping pritet të nënshkruar një marrëveshje gjatë orëve në vijim të kësaj të mërkure, në atë që shënon të parin central britanik të energjisë bërthamore që do të ndërtohet ndër breza. Impianti do të hapet nga viti 2025 në “Hinkley Point”, në Somerset, ndërsa Kina pritet të mbulojë rreth 30% të kostove të ndërtimit të tij. Presidenti kinez do të takohet gjithashtu edhe me kryeministrin britanik, David Cameron, në atë që është dita e tij e dytë e vizitës shtetërore në Britani. Marrëveshje me vlerë më shumë se 30 miliardë dollarë priten të nënshkruhen mes Britanisë dhe Kinës gjatë vizitës së tij 4-ditore. Centrali do të ndërtohet nga kompania franceze e energjetikës, “EDF”, në bashkëpunim me konsorciumin e udhëhequr prej kompanisë bërthamore me asete shtetërore kineze, “CGN”.
Dy stacionet e reja të energjisë bërthamore, në Sizewell të Suffolkut dhe Bradwell të Essexit, do të vijojnë të ndërtohen më tej, si pjesë e marrëveshjes me Kinën. Muajin e kaluar, Kancelari George Osborne vizitoi Kinën dhe siguroi arritjen e një marrëveshjeje, mbi bazën e së cilës Pekini do të investonte në “Hinkley Point”, projekt i cili ishte kritikuar ashpër për shkak të kostos së tij, shtyrjeve të vazhdueshme të vendimmarrjes për investim dhe periudhës kohore për ndërtimin e tij. Plani fillestar ishte që “Hinkley Point” të mund të niste të prodhonte energji elektrike duke nisur nga viti 2023. Megjithatë, qeveria britanike këmbëngul se 25 mijë vende të reja pune do të krijoheshin, ashtu sikurse dhe do të prodhohej energji e mjaftueshme për 6 milionë shtëpi.