Britani/ Cameron: Shqetësuese, situata në tunelin e La Manshit

469
Kryeministri britanik, David Cameron u shpreh sot shumë i shqetësuar nga përpjekja e ndërmarrë një ditë më parë nga rreth 2 000 klandestinë për të hyrë në Britaninë e Madhe nëpërmjet tunelit nënujor në Kanalin e La Manshit që prej Calaisit, në veri të Francës.
“Është shumë shqetësuese”, deklaroi Cameron për gazetarët në kuadër të një vizite në Singapor.
“Ne do të bashkëpunojmë ngushtë me autoritetet franceze për t’i bërë ballë kësaj situate”, shtoi ai.
”Qendra e Eurotunelit në Calais është bërë sërish objekt i të paktën 1 500 përpjekjeve nga ana e imigrantëve për të hyrë në tunelin nënujor në kanalin e La Manshit për të arritur në Britaninë e Madhe gjatë mesnatës ku një person në përpjekje për të imigruar ka humbur jetën”, njoftoi një burim policor.
“Ekipet tona kanë gjetur një trup sot në mëngjes dhe zjarrëfikësit konfirmuan vdekjen e këtij personi”, theksoi një zëdhënës i Eurotunelit.
Ndërkohë, Sekretarja e Brendshme britanike, Theresa May ka njoftuar se është rënë dakord që Britania ta ofrojë edhe shtatë milionë paund shtesë për të rritur sigurinë në tunelin e La Manshit.
Sigal