Brazil, të burgosurve që lexojnë libra u ulen ditët e burgut!…

69

Dhe thonë se librit të shtypur po i vjen fundi, ndërsa atë e gjen edhe falas në internet. Nuk është plotësisht e vërtetë. Së pari se ambientimi me librin real, pesha e tij në dorë, është tepër e ndjeshme dhe e prekshme, për ata që kanë lindur dhe janë në pleqëri të vazhdueshme me librin. On-line, natyrisht ka epërsi dhe më në fund, këtë muaj u raportua se në SHBA libri i shitur on-line tejkaloi atë të shitur nëpër libraritë reale. Një hap gjigand i librit on-line, në një kohë shumë të shkurtër. Por libri real ende mbahet, ende kërkohet dhe bibliotekohet pothuaj kudo, më shumë në vendet e pazhvilluara. Moshat natyrisht ndikojnë në prodhimin e shifrave ku rinia, intelektualet të dhe universitaret, preferojnë në maksimalitet të lartë, librin e blerë on-line, ndërsa të moshuarit, gratë dhe të burgosurit preferojnë dhe u lejohet (të burgosurve) libri në fletë. Ka shumë diskutime dhe debate në shtyp e televizione rreth këtyre treguesve, sepse nga një anë rrezikohen shtëpitë botuese dhe shitësit e librave, nga ana tjetër revolucioni i internetit ka nxjerrë në fushë tregu forma moderne botimi dhe leximi duke i kursyer natyrës dhe ekologjisë botërore tonelata me pemë të paprera. Por modelin më të mirë, për të bërë efikas misionin e librit letër dhe ruajtjen e tij (të burgosurve nuk u lejohet ende interneti, dhe janë të privuar ende nga kjo magji komunikative e shkencës) sipas shtypit, e kemi në Brazil dhe ideatorja e një projekti të tillë dobiprurës në të gjitha drejtimet, është vet presidentja e vendit magji, në futboll, Dilma Rousseff. Ajo projektoi një skicë ide, dhe arriti ta bëj ligj në parlament, duke vendosur që kush i burgosur lexon një libër në muaj dhe e komenton atë me një recension të thjeshtë në një faqe letër, i ulen katër ditë burg. Jo më shumë se një libër në muaj, tani për tani. Dymbëdhjetë libra në vit janë ekuivalencë matematikore e 48 ditëve burg të ulura. Tipologjia e librit mund të jetë e ndryshme,që nga ai letrar, shkencor, historik, politik, etj., kurse dokumentimi me komentin përkatës është kusht dhe përgjegjësi administrative; kontrolluar dhe firmosur nga drejtorët e burgjeve dhe eprorët e tyre superiorë, për raste kontrolli apo abuzimesh. Ideja vërtet është interesante dhe ka gjetur mbështetje të gjerë edhe në shtypin amerikan dhe atë të Europës -Perëndimore. Është një dritë edukative që shkon e shpërthen dyert e renda dhe të kyçura të qelive, monotoninë vetmitare e të burgosurit, dëshpërimin dhe agoninë e tij me mbyllje burgu. Presidentja jo rastësisht e ka bërë një propozim të tillë. Ajo vetë, para se të bëhej presidente e Brazilit, ka qenë e dënuar me burg për tre vjet, nga viti 1970 gjer në vitin 1972. Ishte koha e keqe e gjeneralëve. Dilma, studente, nga një familje me origjinë borgjeze hyn në grupet guerilase të së majtës dhe kapet në aksion në San Paolo, me një armë dhe literaturë komuniste. Menjëherë e kanë burgosur dhe për 20 ditë i kanë bërë tortura në trup. Nga ato ditë, si ka deklaruar, nuk ka harruar muret e lyer me gjakun e saj dhe errësirën që hapej pak kur i sillnin për të ngrënë. “Nuk kishte asnjë rrugë drite, që të jepte pak shpresë! Libri është një rruge drite…”, tregoi ajo para parlamentit që e duartrokiti dhe nderoi për idenë gjeniale, e cila tani po eksperimentohet në katër burgje dhe është bërë shembull mediatik në Nevv Jork,Tokio, Londer, Paris e Romë. Gazetat italiane duke filluar nga më të mëdhatë La Republica, Corriere della sera, La Stampa, etj. i kanë kushtuar hapësira dhe faqe të tëra presidentes braziliane (La Repubblica, 14 gusht, fq.32).Dhe është një “novitet” lirie që edhe nën dënim të marrësh “shpërblim” që vjen nga leximi, historia, romani a poezia, të cilat, dihet, janë oksigjen që shkon tek dëshpërimi, urrejtja apo dhe krimi….duke i neutralizuar shpesh ato.”Çdonjëri nga të burgosurit do të ketë një vizion më të gjerë mbi botën dhe ligjet e vjetra totalitare, staliniste apo këto kapitaliste shfrytëzuese, duhet të rrëzohen edhe për të burgosurit”, ka shtuar ajo duke kërkuar miratim të parlamentit dhe zbatim nga qeveria. Dhe shtypi kujton kanibalizmin e skllavërisë, kur skllevërit detyroheshin të dyluftonin në arenën e Koloseut, djegiet e të burgosurve prej inkuzicionit të Kishës, për katër shekuj (nga koncili i Trento gjer në Vatikanin II,) fundamentalizmin islamik me dënimin e gruas me goditje e vrasje me gurë, nazistët vrisnin, përse kundërshtoje idenë e tyre për të djegur botën, Stalini, përse nuk lavdëroje paranojat e tij, Pinoçeti vriste përse etiketohej si Don Kishot, Millosheviçi vriste përse protestohej e nuk mbështetej Serbia, Berisha vrau përse protestohej ashpër në bulevard…Italia me 68 mijë të burgosur (La Repubblica, po aty)dhe me kushte të rënda jetese, është vënë në ndjekje të idesë së presidentes braziliane. Të paktën këtë tregon shtypi, ndërsa radikalët e Marco Panelës nuk kanë munguar të dalin në protesta dhe grevë urie titullari i partisë, për të drejtat njerëzore të të burgosurve. Në Itali ka dhe një numër relativisht të lartë të burgosur shqiptarë dhe është esenciale që ata të kryejnë dënimet në vendin e tyre, ku mund t’u praktikohet bashkë me të tjerët, përvoja në leximin e librave me ulje dënimi që në të vërtetë është dritë në shpirt dhe mendjet e tyre të traumatizuara! Natyrisht, këtë nuk mund ta bëjë Berisha, ai që ushtarët e tij të vrasjes e rendisin me vrasësit e njerëzve në histori.

Presidentja e Brazilit ka pasur vet armë në brez, dhe dikur ishte njëlloj si Saliu! Sot janë dy drejtues shtetesh, por dy të ndryshëm, krejt të ndryshëm, ajo punon për dritën e vërtetë duke filluar nga errësira e burgjeve. Dhe çliron energji botërore nëpërmjet ideve të reja njerëzore: duke dashur NJERIUN!

Nga Italia, për “Telegraf”