Brazil/ Bandat e drogës, sulmojnë karvanin me karburant bërthamor

539
Sigal

Persona të armatosur kanë sulmuar një karvan me kamionë që transportonte karburant uraniumi në një central bërthamor pranë qytetit brazilian të Rio de Janeiro, raportoi policia.

Karvani u sulmua pasi doli nga një komunitet i kontrolluar nga trafikantët e drogës në Angra dos Reis, një qytet turistik 145km larg nga Rio.

Policia që shoqëronte karvanin me karburant qëlloi drejt sulmuesve. Por asnjë prej tyre nuk u plagos apo arrestua.

Karvani arriti fabrikën Angra 2 në mënyrë të sigurt 20 minuta pas sulmit.

Karvani mbante karburant uraniumi të fabrikuar në Resende, në Rio de Janeiro, për të furnizuar Angra 2, një nga dy centralet bërthamore në Angra dos Reis, e cila filloi punën në 2001.

Sulmi në autostradën Rio-Santos është i fundit në një seri incidentesh të dhunshme në zonën e njohur për turistët.

Në vitin 2017, një grua britanike u plagos me armë pasi së bashku me familjen e saj hynë gabimisht me makinë në komunitetin e drejtuar nga bandat.