BQE-ja plan për mbrojtjen e Ballkanit nga kriza greke

64
Banka Qendrore Europiane ka gati një plan për të mos lejuar përhapjen e panikut grek në sistemet financiare të vendeve fqinje në Ballkan. Lajmin e ka bërë publik, prestigjiozja “Financial Times”. Sipas saj, autoriteti monetar i Eurozonës ka miratuar dy linja sekrete kredish për Bullgarinë dhe Rumaninë, dhe paralelisht është duke mbajtur nën mbikëqyrje të vazhdueshme situatën në Shqipëri, Maqedoni dhe Serbi, përmes kontakteve të përditshme me bankat qendrore të këtyre vendeve. Gazeta britanike thotë se plani synon të garantojë qëndrueshmërinë e sistemeve financiare në vendet e Ballkanit si dhe të bind Bankat Qendrore të këtyre vendeve që të mos ndërmarrin masa paniku ndaj bankave lokale greke. Më konkretisht, Banka Qendrore Europiane kërkon të shmangë që Bankat Qendrore të Rumanisë, Bullgarisë, Serbisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë të targetojnë asetet e bankave greke që janë në vendet e tyre, nga kufizimet e kapitalit e deri te shtetëzimet potenciale. Sipas gazetës, nëse kjo do të ndodh atëherë bankat mëma që janë në Greqi do të merrnin një goditje tjetër të fortë, çka do e përkeqësonte edhe më shumë situatën e vështirë në sistemin financiar grek.
Duke cituar një zyrtar të lartë, “Financial Times” thotë se Banka Qendrore Europiane ka vendosur linja dypalëshe kredish për Rumaninë dhe Bullgarinë. Kjo sipas gazetës për të siguruar autoritetet rumune dhe ato bullgare se edhe nëse kriza do të përshkallëzohej, bankat me kapital grek, që janë në vendet e tyre do të mbështeten me fonde të pakufizuara nga Banka qendrore europiane.