Bota përgatitet për “Grexit”, Tsipras i prirur për t’i thënë sërish “jo” kreditorëve

48
Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, paralajmëroi se nuk ka ndërmend të pranojë një marrëveshje me kreditorët ndërkombëtarë që nuk plotëson kushtet e paraqitura nga qeveria e tij, ndërsa kancelaritë kryesore europiane përgatiten për një dalje të vendit nga eurozona.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kancelarin austriak Verner Fajman, kryeministri helen tha se propozimi i palës greke i plotëson kushtet e kreditorëve, ndërsa nuk arrin të shpjegojë fiksimin e institucioneve për uljen e pensioneve, ndërkohë që pensionistët grekë janë fare pranë vijës së varfërisë ekstreme.
Tsipras: “Kemi vetëm një alternativë, të gjejmë një zgjidhje që do të pranohet dhe miratohet nga qeveria dhe parlamenti. Nëse nuk ka një kompromis të ndershëm, atëherë do të themi sërish një “jo” të madhe!”
Sipas mediave greke, presidenti i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker, po përgatit një propozim të ri, pavarësisht fjalëve të ashpra për manipulim të opinionit publik nga ana e qeverisë greke, që shihet si një lëvizje e fundit e dëshpëruar për të shmangur falimentin.
Gjatë paradites, raporti i Bankës Qendrore Greke se dalja e vendit nga eurozona do të thoshte edhe dalje nga Bashkimi Europian, është konsideruar si i papranueshëm, dhe i është ridërguar për punim Guvernatorit të bankës, Janis Sturnaras.
Në raport theksohet gjithashtu se që prej muajit tetor, rreth 30 miliardë euro janë larguar nga sistemi banker grek, kryesisht për shkak të zhvendosjes së kapitalit financiar, por edhe nga tërheqjen e parave cash nëpër bankomate dhe degë bankash.
Megjithatë, përfundimi i Bankës Qendrore Greke është mbështetur edhe nga presidenti i Parlamentit Europian, Martin Shulc, sipas të cilit, dalja nga zona euro, do të sillte në mënyrë të pashmangshme edhe shkëputjen nga unioni, pasi të gjitha vendet anëtare, përveç Danimarkës dhe Mbretërisë së Bashkuar, e kanë të detyrueshme monedhën e përbashkët sipas traktatit të Mastrihtit.
Frika për dështimin e Greqisë ka prekur edhe dy kancelaritë më të mëdha të kontinentit. Qeveria gjermane ka theksuar edhe një herë se po bën çmos për të siguruar që takimi i eurogrupit të enjten të mbyllet me sukses, por zëdhënësi i kancelares Merkel pranoi se tashmë gjithçka është mjaft e vështirë. Zëdhënësja e kryeministrit britanik, Devid Kameron, deklaroi se vendi ka bërë gati një plan për të analizuar pasojat që do të kishte mbi ekonominë dhe bizneset britanike falimenti grek, ndërsa mediat europiane raportojnë se turistëve që duan të vizitojnë ishujt grekë këtë verë iu këshillohet të marrin sa më shumë para cash me vete, pasi degët e bankave dhe ATM-të mund të mbyllet në javët në vijim.