Bosnje dhe Hercëgovinë, 20 vjet nga masakra e Serbenicës, nis sot marshimi i paqes

487
Në Bosnje dhe Hercegovinë ka nisur sot Marshimi i Paqes, një organizim i përvitshëm për të kujtuar vrasjet masive që kanë ndodhur në Srebrenicë në vitin 1995. Kolona e njerëzve është nisur nga Sarajeva, ndërsa pritet të mbërrijë në qendrën përkujtimore Potoçari më datën 10 korrik.
Qytetarët bëjnë rrugën e kundërt të rreth 15,000 burrave dhe djemve që janë larguar nga ish-enklava e mbrojtur e OKB-së, kur ajo ra në duart e ushtrisë serbe të Bosnjës, më 12 korrik, 1995.
Forcat serbe në atë kohë ekzekutuan rreth 8,000 burra dhe djem myslimanë.
Ndërkohë 20 vjetori i masakrës ka nxitur përplasje mes anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili pritet të miratojë një rezolutë në fillim të javës së ardhshme për të përkujtuar genocidin. Britania ka hartuar një projekt-rezolutë që dënon fuqishëm genocidin në Srebrenicë dhe ata që e mohojnë atë.
Drafti vë në dukje se Gjykata e OKB-së për krimet e luftës në ish-Jugosllavi dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, kanë përcaktuar se masakra ishte genocid. Por Rusia e ka kundërshtuar këtë rezolutë dhe ka prezantuar një të re ku nuk përmend Srebrenicën me emër apo fjalën genocid.
Propozimi rus “dënon në mënyrën më të ashpër krimet më të rënda që shqetësojnë komunitetin ndërkombëtar në tërësi të kryera gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi kundër personave me prejardhje të ndryshme etnike dhe fetare.”
Por ambasadorja e SHBA në OKB, Samantha Poër, e cila ishte një gazetare e re në Ballkan, kur ndodhi masakra dhe më vonë shkroi një libër për gjenocidin, që fitoi çmimin Pulitzer, tha se tragjedia nuk do të harrohet. Ajo tha se pret miratimin e rezolutës dhe se ekziston “konsensus i gjerë global” në lidhje me atë që ndodhi në Srebrenicë në korrik 1995, kur më shumë se 8,000 burra dhe djem boshnjakë muslimanë u vranë sistematikisht nga forcat serbe për shkak të besimit të tyre fetar.
Sigal