Bosi i Cosa Nostra në ditët e fundit, Toto Riina në koma pas dy operacioneve

317
Bosi i Cosa Nostra, Toto Riina është në fund të jetës. Për një kohë të gjatë, shefi historik i Corleone është shtruar në spital në qendrën e paraburgimit në Spitalin e Parmës. Bosi i mafias, tashmë 87 vjeç, është në koma prej disa ditësh, pas dy ndërhyrjeve kirurgjikale. Ai vuan nga një sëmundje e rëndë dhe neoplazma e veshkave. Ndonëse ai është arrestuar më 15 janar të 1993, pasi 24 vite ishte në arrati, Riina konsiderohet ende nga hetuesit, si udhëheqësi i padiskutueshëm i Cosa Nostrës, shkruan ‘tgcom’. Prokurori dhe Ministri i Drejtësisë Andrea Orlando nënshkruan lejen që fëmijët të mund të ishin pranë tij në momentet e fundit të jetës.
Riina aktualisht po vuan 26 dënime të përjetshme për dhjetëra vrasje dhe masakra, duke përfshirë dhe atentatin në ’92 ku humbi jetën Falkone dhe në ’93 Borsellino. Vendimi për të nisur një ofensivë të armatosur kundër shtetit në fillim të viteve 1990 i takonte atij. Ndonëse ai u burgos, Riina nuk u pendua kurrë për krimet. Vetëm tre vite më parë, duke folur në burg me një të tjetër të burgosur, ai mburrej për vrasjen e Falkone-s dhe vazhdoi të kërcënonte prokurorët.
Arrestimi i bosit të Cosa Nostra 
Arrestimi i tij erdhi si rezultat i një hetimi të karabinierisë, Palermos dhe konkretisht i një skuadre speciale, në krye të të cilës ishte kapiteni Serxho De Kaprio, i mbiquajtur “Ultimo”, që do të finalizohej me kapjen e bosit të bosëve. Pas arrestimit të Riinas, falë punës së karabinierisë, Policisë dhe sidomos Prokurorisë së Palermos e Kaltanisetas do të bëhej e mundur identifikimi dhe kapja e të tjerë shefave mafiozë si Benedeto Santapaola, Leoluka Bagarela, Xhovani Bruska, Pietro Alieri, Salvatore Kancemi, Antonino Xhufre, Rafaele Ganci, Bernardo Provencano, Salvatore Lo Pikolo, etj.
Jeta e Riinës
Rreth jetës së Salvatore Riinës dhe familjes së tij, ende ka mistere. Për jetën dhe veprimtarinë e tij janë bërë shumë filma, ku më i spikaturi ka qenë seriali “Il capo dei capi”. Riina lindi në fshatin Korleone në vitin 1930 dhe veprimtaria e tij si “njeri i nderuar” fillon një ditë vere të vitit 1958, kur në afërsi të fshatit të tij, Luciano Lixho, masakron me plumba mitralozi, drejtorin e spitalit, doktorin Mikele Navarra, i cili ishte shefi i mafies në vend. Në krah të Lixhos, qëlluan edhe një grup të rinjsh, midis të cilëve ishte edhe Salvatore Riina. Fillimisht Riina ishte mëkëmbës i Lixhos, shef i plotfuqishëm i Mafies Korleoneze, i cili zëvendësoi Navarren. Gjatë kësaj kohe ai ka bashkëpunuar me Bernardo Provencanon.
Salvatore Riina filloi të bëhet shumë i pushtetshëm pas rënies së bosit të “korleonezëve”, Luciano Lixho, i cili arrestohet në maj të vitit l974. Pushteti i don Toto-s, sikundër zbulojnë disa të penduar, arrin deri në SHBA ku në pak vite, bosi korleonez ia arrin të lidhë aleanca me disa nga “familjet” më të pushtetshme të Cosa Nostras amerikane. Për pushtetin e Riinas, fliste në hetimet e tij edhe prokurori Xhovani Falkone. Këtë e bën pas rikthimit nga udhëtimi i shkurtër në SHBA, ku kishte shkuar për të takuar prokurorin e New Yorkut, Rudolf Xhuliani dhe prokurorin e Manhattanit, Ricard Martin.
“Por shefi i Cosa Nostras nuk ishte më Luciano Lixho, por Salvatore Riina. Është ai, që nga vendi i arratisjes, drejtonte trafiqet më të mëdha të drogës në gjysmën e Botës. Dhe është gjithmonë ai prapa çdo ngjarje të përgjakshme” kishte shkruar Falkone.

C_2_articolo_3075794_upiImagepp