Bombardimi i spitalit në Afganistan, Obama: Hetim i plotë i ngjarjes

560
Pas bombardimit të një spitali në Afganistan nga ana e forcave ajrore amerikane, Presidenti Barak Obama ka bërë me dije se Departamenti i Mbrotjes do të nisë një investigim të plotë për të zbardhur ngjarjen.
Ai tha se është ende herët për të gjykuar pa patur ende një raport mbi rrethanat e tragjedisë. Sulmi që u mori jetën 19 personave, ku përfshiheshin 12 anëtarë të stafit të mjekëve si dhe 7 pacientë, duhet të ishte koordinuar drejt talebanëve.
Ngjarja është dënuar ashpër nga zyrtarët e Kombeve të Bashkuara. Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Moon, është shprehur se tragjedia është e pafalshme dhe ndoshta një vepër kriminale. Me tej ai bëri thirrje që hetimi të jetë i hollësishëm dhe i paanshëm.
Ndërkohë, komisioneri i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Ra’ad Hussein Zeid, nënvizoi se detyra e forcave ndërkombëtare është që të sigurojnë mbrojtje për civilët.
Ministria e Brendshme e Afganistanit, në një deklaratë zyrtare, ka thënë se një grup prej 10 deri në 15 talebanësh po fshiheshin në spital, ndërkohë që një gjë e tillë është mohuar nga militantët. Shtetet e Bashkuara prej kohësh akuzojnë Rusinë se sulmet e saj po prekin shoqërinë civile në Siri. Mbetet për t’u parë nëse Kremlini do të bëjë të njëjtën gjë pas këtij bombardimi.
Sigal