“Bomba” e Zaev, Jankullovska: Të kapen shqiptarët për fyti

473
Sigal

Kreu i opozitës maqedonase Zoran Zaev, publikoi sot përgjimet e tjera, duke prezantuar shkeljet më të rënda gjatë zgjedhjeve. Në fokus të tyre, ishin kryesisht mashtrimet me banorët e Pustecit, në Shqipëri. Në “bombën” e radhës të liderit të opozitës, dëgjohen zyrtarë të lartë të partisë në pushtet VMRO-DPMNE që vërtetojnë fenomenin. Të vetëdijshëm për rrezikun nga kjo dukuri, ata kanë organizuar nga 150 banorë në një adresë. Me bisedat e tyre ata vërtetojnë se si e kanë tejkaluar këtë situatë pas zbulimit nga ana e mediave. 

Në bisedat e radhës dëgjohet se si kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski u bën presione kompanive me qëllim që të fitojë mbështetjen e tyre në zgjedhje. Gjithashtu se si pushteti i detyron inspektorët të caktojnë gjoba prej 4 mijë eurosh dyqaneve. Në këto biseda dëgjohet se si edhe Ministri i transportit Mile Janakievski i shpërdor organet që ka nën udhëheqje duke kërcënuar me heqje licencash ata që nuk do të mbështesin VMRO-në.

Lideri i opozitës Zaev gjithashtu zbardhi edhe disa biseda telefonike ku qartë mund të dëgjohej se si Ministri Mile Janakievski merret vesh me ish ministrin e Bujqësisë Lupço Dimovski që nga qytetarë të ndryshëm të marrin garanci të forta për votim ndaj VMRO-DPMNE-së. Në këtë bllok bisedash telefonike, Janakievski mund të dëgjohej edhe si kërkon që të kërcënohen bizneset vendase me marrje licencash.

Gjatë bisedës së radhës përsëri protagonistë janë ministrja e brendshme Gordana Jankullovska dhe Ministri i Transporit dhe Lidhjeve Mile Janakievski. Gjatë bisedimeve mund të dëgjohet gjuhë e urrejtjes ndaj romëve si dhe shqiptarëve. Dëgjohen komente si jepuni miell, apo diçka tjetër… “Të kapen shqiptarët për fyti askush mos të del në raundin e dytë të votimit”, thotë ministrja e brendshme Gordana Jankullovska.