Blloku i pavendosur: E thamë fjalën tonë, s’thërrasim më seancë

450
Sigal

PRISHTINË – Në një kohë që kanë kaluar gati 2 javë nga seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës, e thirrur nga Blloku LDK-AAK-Nisma e Vetëvendosje, të cilët thanë se do të vijojnë me seanca të tjera, edhe pa ftesën e Brovinës.
 
Tashmë, ata duket se kanë ndërruar mendje. Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi tha se ata i kanë nxjerrë konkluzionet e duhura dhe presin vetëm zbatimin. “Presim momentin e duhur deri sa të arrijmë zbatimin e konkluzioneve të dala nga vullneti i mbi 60 deputetëve të cilët më 9 tetor thanë fjalën e vet”, ka thënë sot deputetja Kadaj-Bujupi për mediat kosovare.
 
Ajo shtoi se PDK duhet të reflektojë, ndërsa i ka kërkuar presidentes të ndërmarrë veprime konkrete për zgjidhjen e kësaj situate. Kujtojmë që seanca e fundit e thirrur nga Blloku më 9 tetor ishte më tepër një seancë debatuese pa pjesëmarrjen e partive të tjera.
 
Menjëherë pas saj, kryesuesja më e vjetër e Kuvendit, Flora Brovina tha se nuk kishte ndërmend të thërriste një tjetër seancë pa një marrëveshje mes partive kryesore. Gjatë kësaj kohe, presidentja Atifete Jahjaga ka mbledhur disa herë liderët për daljen nga kriza, por deri më tani PDK nuk ka hapur rrugë, ndërsa blloku është shprehur kategorikisht kundër një qeverie gjithëpërfshirëse. Analistët shohin si të vetmen zgjidhje për daljen nga kriza, zgjedhjet e jashtëzakonshme.