Bisedimet në Bruksel për borxhin pa marrëveshje, Athina në protesta

468
Punëtorë, studentë, pensionistë dhe të papunë dolën në rrugët e Athinës të enjten nga frika se qeveria do të tërhiqej nga premtimi parazgjedhor për t’i dhënë fund viteve të kursimit.
Qindra njerëz protestuan pas bisedimeve të mbajtura në Bruksel mes kryeministrit Aleksis Tsipras, kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Fransua Holondë, të cilat përfunduan pa marrëveshje mbi borxhin, por që u ra dakord që të intensifikohen negociatat që do të çojnë në një zgjidhje mes palëve.
Grekët kanë frikë mos qeveria dorëzohet para kreditorëve dhe pranon kërkesat e tyre si ulje pagash dhe pensionesh.
E organizuar nga partia komuniste, demonstruesit mbanin parrulla të ndryshme që reflektonin gjendjen e tyre ekonomike dhe thirrjet e tyre ishin nuk mund të jetojmë me 400 euro në muaj.
Udhëheqësi i Partisë Komuniste Dimitris Koutsoubas tha se ka ardhur koha që populli i vuajtur i Greqisë të çlirohet nga masat shtrënguese.
“Të papunët duhet të ndihmohen, paga minimale duhet të shkojë në 751 €, dhe të gjitha masat jopopullore duhet të anulohen. Ata që janë pushuar nga puna duhet të ripunësohen dhe njerëzit në nevojë duhet të marrin ndihmë ekonomike, u shpreh ai.
Më herët protestuesit pushtuan Ministrinë e Financave me thirrjet kemi paguar mjaft, nuk mundemi më.
Greqia dhe kreditorët e saj europianë po përpiqen të arrijnë një marrëveshje në lidhje me borxhin, të cilin Athina ka deklaruar se do ta paguajë më 30 qershor në mënyrë që Fondi Monetar Ndërkombëtar të çlirojë këstin e radhës.
Ndërkohë propozimet e reja të Greqisë u hodhën poshtë nga Bashkimi Europian, i cili i konsideroi të papërshtashme me objektivat europiane.
Sigal