Bisedimet mes SHBA dhe Koresë së Veriut, ende asnjë përgjigje nga Peniani

558
Koreja e Jugut ka bërë të ditur se nuk ka ardhur ende një reagim nga Peniani për takimin mes liderit të Koresë së Veriut Kim Jong-un dhe presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
“Nuk kemi parë dhe as nuk kemi marrë një reagim zyrtar nga regjimi i Koresë së Veriut, sa i përket takimit mes Koresë së Veriut dhe SHBA-së”, është shprehur një zëdhënës i Ministrisë së Unifikimit në Korenë e Jugut.
“Kam përshtypjen se ata po tregojnë shumë kujdes për këtë çështje dhe kanë nevojë të organizojnë qëndrimin e tyre”, ka shtuar më tej ai.
Presidenti amerikan Donald Trump pranoi të premten një ftesë nga Koreja e Veriut për bisedime direkte.
Zyrtarë të Koresë së jugut thanë se Kim Jong-un është përgatitur të heqë dorë nga armët bërthamore. Detajet për bisedimet e planifikuara janë të paqarta dhe ende nuk është rënë dakord për vendndodhjen e takimit dhe për axhendën.
Analistët janë skeptik rreth asaj që mund të arrihet përmes këtyre bisedimeve duke marrë parasysh ndërlikimin e çështjeve të përfshira.
Zyrtarët e Koresë së Jugut të cilët biseduan me Trumpin do të shkojnë në Kinë dhe në Japoni për të njoftuar liderët e secilit vend lidhur me këto bisedime. Propozimi për takimin vjen teksa Koreja e Veriut dhe SHBA-ja kishte mbi një vit që shkëmbenin retorikë të ashpër mes tyre duke shkaktuar kështu shqetësim global.
Sigal