Bisedimet Kosovë-Serbi, Thaçi: Nuk do diskutohet për çështje të brendshme

434
Kosova dhe Serbia do të diskutojnë kapitullin e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore. Me ndërmjetësimin e BE, takimi do të mbahet në Bruksel dhe sipas Thaçit në nivel presidenstësh. Pjesë e tij do të jenë edhe kryeministrat respektivë Mustafa dhe Vuçiç. Presidenti Thaçi deklaroi se në takim nuk do të diskutohen çështje të brenshme, por vetëm kapitulli i normalizimit të marrëdhënieve.
Kosova dhe Serbia po hapin kapitullin e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore dhe takimi do të jetë në nivel presidentësh, me lehtësimin e BE. Kështu ka deklaruar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi gjatë një interviste për mediat një ditë para takimit që pritet të mbahet nesër në Bruksel. Presidenti Thaçi ka deklaruar se në takim do të diskutohen vetëm kapitulli i normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore që nënkupton normalizim në rrafshin politik, të sigurisë, ekonomik dhe integrimeve rajonale e euro-atlantike.
“Sa u përket çështjeve të brendshme, secili shtet është autonom, ka sovranitetin e vet dhe nuk do të negociohet asgjë sa u përket çështjeve të tjera, ka deklaruar Thaçi, duke shtuar se Serbia kohët e fundit ka provokuar rëndë Kosovën si me rastin Haradinaj, pastaj me murin në Mitrovicë dhe nisjen e trenit për në veri, çka ka nënvizuar ai, e bën të domosdoshme që të dyja vendet të diskutojnë për normalizimin e raporteve ndërshtetërore. Për Thaçin mbyllja me sukses e procesit të dialogut do të ishte njohja e Kosovës dhe Serbia.
Por ky takim nuk është pritur mirë nga kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili i ka quajtur kukulla në duart e serbëve si kryeministrin e vendit ashtu edhe presidentin Thaçi.
“Përcaktimi i Hashim Thaçit e Isa Mustafës, që pavarësisht rrethanave të krijuara nga sulmet e njëpasnjëshme të Serbisë mbi sovranitetin e Kosovës, të vazhdojnë bisedimet me Serbinë, është pozicion i kukullave”, ka thënë Haradinaj, duke shtuar se vazhdimi i dialogut me Serbinë pa kushte, është në kundërshtim me dëshirën e popullit kosovar.
Sigal