Beogradi notë proteste Tiranës për hartën e Shqipërisë së Madhe

435
Sigal

BEOGRAD – Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç deklaron se i ka dërguar notë proteste Shqipërisë për një hartë të Shqipërisë së Madhe, e cila sipas mediave serbe është shfaqur në muret e kryeministrisë së Shqipërisë natën e Vitit të Ri. Lajmin për notën e protestës Daçiç e ka konfirmuar pikërisht gjatë një intervistë për të përditshmen serbe “Danas”.

“Ne nuk kemi dhe nuk do të bëjmë asgjë që do të komplikojë marrëdhëniet me vendet e rajonit, qoftë me Shqipërinë. Nuk ishte një flamur i Serbisë së Madhe ai që u shfaq në rezidencën e kryeministrisë serbe, por Flamuri i Shqipërisë së Madhe ai që u shfaq në rezidencën e kryeministrisë shqiptare. Dhe ne por veprojmë ndaj saj dhe gjithmonë do ta bëjmë. Por kjo nuk na privon ne që të mirëpresim këtë kryeministër dhe të të bisedojmë me të për atë se çfarë është e rëndësishme dhe për mundësi të shumta bashkëpunimi.”- ka thënë Daçiç për të përditshmen Danas.
 
Ndërkohë dy ditë më parë duke folur për të njëjtën çështje, Daçiç akuzoi perëndimin për dy standarde, pasi siç thotë ai “Nëse një zyrtar serb do dilte në foto me hartën e Serbisë së Madhe, çështja do të trajtohej si një problem i madh në Këshillin e Sigurisë dhe Komisionin Evropian .”

Më tej Dadiç shton se këto pamje konfirmojnë faktin se ideja e Shqipërisë së Madhe  nuk është imagjinatë e Serbisë, por një fakt real dhe përfaqëson një kërcënim të madh për të gjithë rajonin.

Sipas të përditshmes serbe ‘Politika’, kryeministri i Shqipërisë organizoi një shfaqje me drita ku ndër të tjera tregohej harta e Shqipërisë së Madhe në muret e kryeministrisë për të shënuar festimet e vitit të ri. Sipas mediave Serbe kryeministri Rama e postoi foton në profilin e tij zyrtar në “Facebook”.