Beograd, u arrestua për korrupsion, ish-ministri serb mohon akuzat

561
Ish-ministri serb i Tregtisë dhe Turizmit, Slobodan Milosavljeviç, ka mohuar dje para prokurorisë akuzat për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar. Milosavljeviç akuzohet se ka përdorur pozicionin e tij për një sërë tenderimesh të jashtligjshme dhe mashtrimesh në lidhje me tokën bujqësore gjatë kohës që ishte ministër. Por, ai mohoi gjithçka. Në atë që mediat vendase e cilësuan si aksionin më të madh kundër korrupsionit të zhvilluar një ditë më parë, u arrestuan 79 persona, përfshirë këtu edhe ish-ministrin Slobodan Milosavljeviç, dy zëvendësministra, drejtorë të kompanive publike dhe biznesmenë. Dëmi ekonomik që ata i kanë shkaktuar shtetit llogaritet mbi 100 milionë euro.

Pesë persona ndaj të cilëve ka urdhër arrestimi janë ende në kërkim, ndërsa 40 të tjerë janë proceduar penalisht dhe rrezikojnë të arrestohen. Avokati i ish-ministrit Slobodan Milosavljeviç ka thënë për mediat serbe se klienti i tij nuk ka bërë asnjë shkelje gjatë kohës që ishte ministër. Pritet që Milosavljeviç dhe të akuzuar të tjerë të dërgohen para një trupi gjyqtarësh për procedurë paraprake. Do të jetë prokuroria ajo që do të vendosë nëse të arrestuarit do të izolohen në paraburgim. Ndërkaq, sipas asaj që shkruanin dje mediat serbe hetimet që kanë nisur që në 2004-ën do të vazhdojnë ende.
Sigal