Belsito: “I blemë 20 provime universitetit “Kristal”

1217
Sigal

Ish-llogaritari i Legës tregon se sa i ka kushtuar partisë  diplomimi i Bossit. Plot 230.000 euro, fillimisht për të blerë provimet në universitetin Kristal në Tiranë dhe pastaj ca të tjerë në Londër.  Tani del në dritë sa euro i kanë kushtuar, jo Renzo Bossit, as babait të tij, por  Legës, domethënë taksapaguesve italianë, pasi ato ishin paratë  e shtetit me të cilat ribursohej partia e Legës. Sipas gazetës “La Repubblica” (dhe reportazhit që boton www.gazetaidea.com) i referohet pohimeve që ka bërë nga burgu ish-llogaritari i Legës Francesco Belsito. Sipas Belsitos, Umberto Rossi nuk ka hezituar që të marrë euro nga arka e partisë së tij, që përveç shëndetit të tij, të paguajë edhe për titullin  “Dottore” e djalit të tij. Sepse, pasi e bëri Troftën këshilltar në Krahinën e Lombardisë, ishte e udhës që i biri të tregonte kompetenca në ndonjë fushë. Dhe kështu, siç shkruan reportazhin gazeta “Idea”, referuar “La Repubblica”, më 29 shtator 2010 Renzo Bossi, pasi kishte dhënë 3 herë provimin e shtetit, pas shkollës së mesme, që mezi e kishte marrë në korrik të 2009-s, fut në xhep diplomën universitare të “Kristal” në Tiranë për Menaxhim Biznesi. Dhe Belsito u thotë qartazi gjyqtarëve: “Na u desh të blejmë 20 provime për atë diplomë”. Dhe shton se gjynah që u paguan kaq shumë euro, pasi diploma e universitetit “Kristal” nuk pinte ujë në Itali, sidomos pasi Ambasada Italiane refuzoi për të disatën herë që të deklaronte vlefshmërinë e saj. Dhe kështu u desh që të gjendej një tjetër universitet privat në Angli, i cili njohu pjesën më të madhe të provimeve të universitetit Kristal, por e detyroi që të paguante edhe për provime të tjera plotësuese. Sipas Belsitos, për blerjen e provimeve për diplomën e Enzo Bossit, janë paguar 230.000 euro  me rimbursimet publike të Legës së Veriut.

Në frontin shqiptar, çështja “Bossi” u mbyll vetëm me dënimin e kryesekretares së universitetit “Kristal”, Jonida Abazi,  për “falsifikim të dokumenteve shkollore” me 1 vit e 6 muaj burg, (dënim i pezulluar me kusht). Asnjëri tjetër nuk i humbi gjembi në këmbë. Edhe pse me notat e shkëlqyera  të dhëna dhe diplomën e Bossit Jr. Është vështirë të besohet se, të gjitha dokumentet i ka firmosur vetëm kryesekretarja dhe askush tjetër nga profesorët e këtij universiteti. Do ta ketë bërë kryesekretarja edhe deklaratën zyrtare të universitetit “Kristal”,  të nxjerrë në muajin maj të 2012-s, kur plasi skandali në Itali, ku midis të tjerash në këtë deklaratë shkruhet: “Shtetasi Enzo Bossi është regjistruar në bazë të dokumentacionit të paraqitur më administratën e universitetit në vitin akademike 2007-08, sipas legjislacionit të Republikës së Shqipërisë”.