Belgjikë: Arrestohen 2 persona, dyshohen për lidhje me sulmet terroriste në Paris

407
Dy vëllezër u arrestuan gjatë kontrollit të shtëpisë së tyre në qendër të Brukselit, si pjesë e procesit hetimor që lidhet me sulmet terroriste në Paris, bëri sot të ditur, Prokuroria Federale belge. “Ata janë ndaluar gjatë ditës së djeshme për t’u marrë në pyetje”, u shpreh zëdhënësi i Prokurorisë Federale, Eric Van Der Sypt, i cili nuk dha detaje të mëtejshme ndaj dy të dyshuarve.

Van der Sypt sqaroi se ky operacion kishte lidhje me procesin e nisur hetimor të sulmeve terroriste të 13 nëntorit në Paris, por jo në lidhje me pistën e kërkimit të një prej të dyshuarve kryesorë, Salah Abdeslam. ”Prokuroria Federale pritet të publikojë sot një deklaratë për operacionin e ndërmarrë dje, si dhe të japë detaje të mëtejshme”, saktësoi ai. Bastisja u krye në lagjen ”Dansaert”, në kufirin midis komunës me popullsi dërrmuese nga imigrantët e Molenbeek-Saint-Jean dhe të qendrës së qytetit, referuar mediave lokale.
Sigal