Behxhet Sh.SHALA/ Nga i nxehti i jugut të Shqipërisë, në Kosovën e ftohtë

431
Sigal

*BAJGORA

 A do t’i hyjë pyka LAN –it: U ktheva nga pushimi për të cilin i pata paralajmëruar lexuesit dhe disa që po bëjnë përpjekje t’i kacavirren majave politike e që kanë treguar interesim për vendndodhjen time. Kam thënë se do të shkoj në Sarandë, ku në fakt edhe isha dhe ku kam shkuar rregullisht. Në një mënyrë kam kontribuar në forcimin e turizmit të Shqipërisë e sidomos kemi kontribuar që Beni, pronar i hotelit Iliria në Sarandë t’i marrë këmbët duke i përmirësuar kushtet dhe shërbimet në hotelin e tij pasi ishte kthyer nga Greqia, ku i ishte rrezikuar identiteti kombëtar dhe njerëzor. Sikur shumicës së shqiptarëve që ndjeheshin të poshtëruar dhe të fyer. Që nga viti 2002, kur kemi shkuar për herë të parë, gjithmonë kemi qëndruar te Beni, ndërkaq që plazhin e kemi bërë kryesisht te Sandri që ka një mjedis të mrekullueshëm, por jo të shfrytëzuar sa duhet dhe si duhet. Vetëm një herë kemi qenë në Turqi, për të mos shkuar kurrë më! Këto detaje, për shkaqe të sigurisë, sepse frika është njerëzore dhe jeta është e ëmbël, nuk do t’ua tregoja para se të nisesha për pushim, por tash, pasi u ktheva, mund të flas lirisht për rrugëtimin tim. Të shkosh në Sarandë dhe të mos vizitosh Vlorën, Parkun Kombëtar të Llogarasë, Himarën, Jalën, Borshin, Qeparon, Lukovën dhe vendet e tjera, nuk ke bërë asgjë. Nuk e përmenda Dhërminë shkaku se e lashë si delikatesë. Në radhë të parë për shkak të atraktivitetit dhe namit që e ka dhe në radhë të dytë si detyrim moral për të pirë një pije në DarBar, ku kishe përshtypjen se ishte e tërë Prishtina. Shpresoja ta takoja Dardanin që t’i vë “haraç” një pije, por u detyrova t’i thaja lekët. Ky ka qenë pushimi më i mirë imi deri më tani shkaku se e kam bërë në kushte të një ilegaliteti të thellë, duke i ndërruar vendet çdo ditë. Një herë në Ksamil, pastaj te Plazhi i Pasqyrave, vizitë e pashmangshme në Butrint, te Sandri për të përfunduar ditën e fundit në Plazhin e mrekullueshëm të Bunecit, ku dora e njeriut ende nuk ka arritur ta prishë bukurinë e natyrës e që sigurisht do të ndodhë më vonë. Telefonat i kam pasur jashtë rrjeti dhe i vetmi njeri që i jam lajmëruar ka qenë Llapqini. E kam lexuar Kohën Ditore, Zërin dhe Kosova Sot që e kishin çmimin si New York Times apo Le Monde. Kam pasur mundësi të përcjell KTV dhe RT21, por e kam shfrytëzuar në minimum. Të vetmit njeri që i kam hyrë në hak ka qenë Berat Buzhala i cili vetëm sa nuk më preku duke notuar dhe të cilin nuk pata mundësi ta përshëndes, sepse notonte shpejt dhe nuk shihte asgjë afër. Shqipëria është vendi që ka përparuar më së shumti në Ballkan nëse krahasohet me vitet e ‘90. Ka përparuar bindshëm në aspektin e krijimit të kushteve fizike për një jetë më të mire, ndërsa ka një prapakthim të madh në aspektin e ruajtjes dhe afirmimit të identitetit kombëtar. Turizmin shqiptar e mirëmbajnë shqiptarët e Kosovës, të Maqedonisë dhe ata të diasporës, ndërsa më së shumti përfitojnë turistët maqedonas, të Serbisë, të Rusisë etj.. Është rast i ngjashëm me Kosovën, ku shqiptari nuk e respekton shqiptarin apo të vetin, ndërsa lëvyret para të huajve edhe në raste kur ata nuk ua duan të mirën. Besoj të jetë kjo kalimtare. Ishte inkurajues fakti se ishte rritur numri i vizitorëve të Butrintit dhe të kalasë së Gjirokastrës e sidomos kishte shumë vizitorë që bënin selfije para bustit të Çerçiz Topullit. Këta ishin kryesisht të rinj, prandaj te këta e mbështes shpresën për një bashkim kombëtar, sepse gjeneratat pa hipoteka nga e kaluara dhe të liruara nga patriotizmi folklorik janë në gjendje ta bëjnë këtë, Patriotizmi pa dije është vlerë e përgjysmuar dhe nëse kjo ka qenë e domosdoshme për një të kaluar, u tregua se nuk mjafton për sot dhe është i dëmshëm për të ardhmën! Sa isha në pushime në Kosovë, ishte një heshtje politike, ndërsa u arrestuan si fushatë 40 të dyshuar për radikalizëm islamikë e që në shumë medie, pa përfunduar hetimet dhe pa një vendim gjykate u shpallën terroristë. Reagimet e vonuara gjithmonë prodhojnë radikalizëm tjetër. Këta që janë arrestuar tash (një numër i tyre) veprojnë që nga viti 1999 dhe nuk janë penguar nga askush. Nga përvoja që e kam jam i sigurt se këto arrestime në mënyrën si janë bërë, në kohën që janë bërë dhe për arsyet që janë bërë, më shumë do të kontribuojnë në forcimin e radikalizmit sesa në dobësimin e tij! Moti është dashur të veprohet. Dhe nuk është normale që 40 vetave t’u shqiptohet masa e arrestit në mënyrë lineare, kur ka masa të tjera alternative të veçimit. Sikur që ishte rasti i dy imamëve të cilëve iu shqiptua masa e arrestit shtëpiak. Panevojshëm po krijohet një situatë euforie. Edhe ndërkombëtarët nuk mund të lirohen nga përgjegjësia për forcimin e rrymave islamike në përpjekje që këto rryma mund të veprojnë në Kosovë e mos të shkojnë dhe veprojnë në shtetet e tyre! Fejsbuku është bërë i rrezikshëm dhe në raste të caktuara po e zëvendëson prokurorin dhe hetuesit. Të presim kur të kalojë edhe kjo fortune, por do të kenë problem t’i mbajnë në burgje 40 të arrestuar plus edhe disa dhjetëra të tjerë që pritet të arrestohen. A po krijojmë vetë përshtypje me këto arrestime masive se Kosova është vendstrehim dhe vendveprim i radikalistëve islamikë? Kur janë edhe 100 mijë probleme tjera! Kur na presin edhe po aq të tjera. Për mua është tronditëse kur një16 vjeçar shqiptar e ndërron emrin nga Çlirimtar, emër shumë i bukur dhe me dinjitet, në Ebu Bekër! Këtu është problemi dhe duhet luftuar kjo dukuri, sepse pastaj as arrestimet nuk kryejnë punë!

Pyka dhe LAN-I: Ka dashuri antologjike, por duket se ka edhe urrejtje antologjike e që ne i themi urrejtje patologjike. Dashuria antologjike është ajo midis Romeos dhe Xhuljetës, ndërsa urrejtja patologjike duket se është ajo midis koalicionit të LAN –it dhe koalicionit të PDK-së. Romeo e Xhuljeta, në mbrojtje të dashurisë së tyre e kanë pirë helmin ndërsa LAN dhe PDK në mbrojtje të urrejtjes nuk janë në gjendje të pinë as një kafe të vetme. Ndërkaq, të dyja palët janë në gjendje, për të ruajtur apo marrë pushtetin, të pinë shlivovicë me Jabllanoviçin, deputet në Skupshtinën e Serbisë dhe Lista Srpska “ Ivica Daçiç “. E pabesueshme se ku të shpie lufta dhe etja për pushtet. Po të isha në vend të LAN-it midis kushteve që i parashtron Lista Srpska e që janë shantazh destabilizimi dhe kërkesës që e ka koalicioni LW – FERR nuk do të mendoja as dy sekonda; do t’i pranoja kërkesat e koalicionit LW – FERR. Enver Hasani duket se e ka fuqinë e Rasputinit. Të gjithë po i kanë frikën, të gjithë po i futen nën bisht, të gjithë po e shajnë, të gjithë po kërkojnë objektivitet nga Baba, në rast të vendimit që u pëlqen e ngrenë në qiell, nëse nuk u pëlqen e quajnë hajn, kriminel, matrapaz etj.. Realisht, sot në Kosovë nuk është njeriu më i fuqishëm as Enver Baba e as Hashim Thaçi, por Zonja Presidente, Atifete Jahjaga! Ajo do të vendosë nëse do të shkohet në zgjedhje të reja dhe ajo i di emrat e “shehitëve “ të parë të Gjykatës Speciale që do të formohet (padrejtësisht) në fillim të vitit 2015. Kështu tha edhe Babë ki Muni. Ajo dinte për arrestimin e “terroristëve” radikalë islamikë në Kosovë! Dhe për shumë gjëra të tjera. Zgjedhjet e reja do të ishin zgjidhje për Kosovën, ndonëse ndërkombëtarët nuk po pajtohen. Si Ian Klif që nga fillimi ka vepruar si të ishte anëtar i LAN-it. LAN-i nuk i do zgjedhjet, sepse nuk do të ndahej mirë në to. Do të ndahej shumë keq. Prandaj është e përbetuar kundër zgjedhjeve. Prandaj e përdor psikologjinë e turmës duke menduar se sa të jenë bashkë do të jenë të fuqishëm dhe se çdo bisedim me armikun ( koalicionin PDK ) është pykë për unitetin e tyre. Në fakt, nuk do të jetë as siç thotë PDK e as siç thotë LAN-i. Do të zgjidhet nyja duke e prerë atë diku jashtë Kosovës! Ma merr mendja se prerja ka filluar. Shumë shpejt nuk do të kemi më nyje! Koalicioni LDK – PDK mund të ketë mandat 4 vjeçar, ndërsa çdo koalicion tjetër  maksimalisht do të mbijetojë mandatin 2 vjeçar dhe do të ishte koalicion i emergjencës. Në disejnimin e koalicioneve qeverisëse si dhe ndarjen e posteve vota përcaktuese do të jetë ajo e Gjykatës Speciale që ende nuk është formuar. Kjo gjykatë do të prodhojë efekte të menjëhershme dhe dëme kolaterale! E keqja  në Kosovë është se të gjithë duan të jenë pozitë dhe se nuk ka opozitë të respektueshme. Por, definitivisht, shtatori është muaji që e nxjerr Kosovën nga kjo letargji politike, qoftë si zgjidhje e menjëhershme, qoftë në caktimin e vijave të qarta kah do të shkohet. Ta presim së pari vendimin e Gjykatës Kushtetuese të cilin të gjithë duhet ta pranojmë sido që të jetë ai, por vëmendjen kryesore duhet ta drejtojmë nga Zonja Presidente, Atifete Jahjaga, sepse ajo, për momentin, është lojtari nr.1 në Kosovë. Mund të mos pajtoheni me këtë mendim, por shpejt do të bindeni. Apo do të bindem unë nëse e kam pasur gabim! Por jam shumë i sigurt se do të ketë një koalicion tjetër!

som

Në fakt, nuk do të jetë as siç thotë PDK e as siç thotë LAN-i. Do të zgjidhet nyja duke e prerë atë diku jashtë Kosovës! Ma merr mendja se prerja ka filluar. Shumë shpejt nuk do të kemi më nyje!