BE-Turqi, arrihet marrëveshja për emigrantët

75
Bashkimi Europian dhe Turqia kanë arritur marrëveshjen për lehtësimin e krizës së emigrantëve në Samitin e Brukselit të mbajtur gjatë së enjtes. Në një konferencë për shtyp në Bruksel, Donald Tusk, Presidenti i Këshillit Europian, tha se ka një “optimizëm të përmbajtur” mbi marrëveshjen e arritur.
Në Samit është rënë dakord për shpejtimin e liberalizimit të vizave për Turqinë, si dhe hapjen e kapitujve të rinj në negociatat e anëtarësimit për Turqinë në BE. Turqia kërkoi gjithashtu nga BE 3 miliardë euro ndihmë, ndërsa për këtë kancelarja gjermane Merkel tha se shtetet e BE-së janë duke e shqyrtuar.
Jean-Claude Juncker, Presidenti i Komisionit Europian, tha se bisedimet mbi shumën e parave që do t’i jepen Ankarasë do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve të ardhshme. Ndërsa gjatë fundjavës do të udhëtojë në Turqi edhe Merkel. “Ka ende shumë detaje për të diskutuar, por nuk mund të themi nuk kemi arritur asgjë”, tha Merkel.