Barbara Wesel/ Franca u dorëzohet joshësve të djathtë

578
Fronti Nacional kryeson në zgjedhjet rajonale në Francë. Zgjedhësit e zhgënjyer votuan eksperimentin me ekstremistët e djathtë. Por receta politike e tyre është rrezik jo vetëm për Francën, mendon Barbara Wesel.
Ngjitja e Frontit Nacional në Francë ka ndodhur si në librat mësimor. E kjo fare thjeshtë sipas motos: si mund ta bëj një parti ekstremiste të djathtë të pranueshme në shoqëri? Arritja e vendit të parë në zgjedhjet rajonale është kryevepra e kryetares së partisë Marine Le Pen. Pa asnjë drojë shfrytëzohen reminishencat e zgjedhësve, përdoret një retorikë e kontrolluar deri në atë masë, sa ajo të jetë e paprekshme në aspektin juridik, valëviten flamuj me bollëk dhe reklamohet vetja me etiketën e patriotit të vetëm të vërtetë.
Rikthimi i ekstremistëve të djathtë në Europë
Me krahasimet historike duhet të kesh gjithmonë kujdes. Por në sfondin e historisë gjermane të rrënqethet mishi. A është Fronti Nacional dhe a janë nacionalistët Kazhinski, që erdhën në pushtet në Poloni, ngjashëm të rrezikshëm si edhe fashitët gjermanë në vitet 30-të të shekullit të kaluar? Nëse ata ende nuk janë të tillë, potencialisht mund të jenë të tillë. Shabllonet ngjajnë shumë: përjashtimi i një grupi shoqëror, ksenofobia dhe nacionalizmi janë të përbashkëtat. Në Francë tani myslimanët shërbejnë si kokë turku shoqërore, duke u stigmsatizuar si ata që rrezikojnë identitetin “e francezëve të vërtetë” dhe që duhen luftuar. Deri këtu, tmerrësisht të ngjashëm. Nuk duhet rënë në kurthin e Marine Le Pen, ajo nuk është demokrate, dhe partia e saj nuk është e parrezikshme, Përkundrazi ajo është mjaft e rrezikshme. Qëllimi i vetëm i saj është pushteti në Francë.
Çfarë i shtyn francezët në vetëvrasjen politike?
Nga një këndvështrim francezët mund t’i kuptsoh. Partitë e forta deri më sot, socialistët dhe republikanët, janë larguar nga populli dhe kanë humbur kredibilitetin për shkak të një serie të pafundme skandalesh. Ka vërtetë nevojë për një kthesë, e përforcuar kjo edhe prej paaftësisë së presidentit Francois Hollande, për ta vënë në lëvizje ekonominë dhe për të vënë nën kontroll papunësinë. Një pjesë e madhe e votave të Marine Le Pen vjen nga të humburit e shoqërisë franceze dhe ajo pretendon se pikërisht atyre po u jep një zë.
Ndërkohë që programi ekonomik i Frontit Nacional është një marrëzi e tërë dhe premtimet e tij janë boshe. Mbyllja e kufijve me vendet fqinjë dhe dalja nga BE-ja nuk gjenerojnë impulse për koniunkturën. Një Francë, që izolohet dhe ushqen idenë e djeshme të identitetit kombëtar, as nuk tërheq investitorë dhe as nuk mund të ngjitet në nivelin e mbretit të eksportit. Bujqit francezë do të habiten, kur papritur të mungojnë subvencionet nga Brukseli, me të cilat ata janë ambjentuar prej dekadash. Po ashtu Fronti Nacional as nuk do të mund t’i rrisë më tej shërbimet sociale dhe as nuk do të mund të krijojë vende të reja pune për të gjithë francezët në strukturat e kalçifikuara ekonomike. Në këtë drejtim as miku i saj Valdimir Putin nuk do të mund ta ndihmojë Marine Le Pen. Por për Bashkimin Europian një Francë e drejtuar nga ekstremistët e djathtë do të ishte fundi: Gjermania dhe disa fqinjë të tjerë do të duhej të tërhiqeshin tek një Europë e vogël bërthamë.
Zgjedhjet rajonale një e shtënë paralajmëruese
Marine Le Pen ka një synim e ky është Pallati Elysée. Por rruga deri atje është ende e gjatë e ndoshta në vitin 2017 mjaft zgjedhës do të mblidhen rreth një kandidati të repbulikanëve, për ta penguar marshin e saj. Por rezultati i këtyre zgjedhjeve rajonale është një e shtënë paralajmëruese, se francezët nuk janë më imunë ndaj joshjes së ekstremistëve të djathtë dhe nuk i kanë parasysh pasojat e vendimit të tyre. Duket se është piëkrisht taktika e mashttrimit ajo që josh. Përveç kësaj ka efekt edhe më shumë utopia e idesë së një të ardhmeje si ajo e kaluara e artë, kur burrat francezë ishin krenarë, gratë e bukura dhe të gjithë ishin të pasur. E për këtë këndohet Marseillaise dhe valëviten flamujt kuq-bardh-blu. Eshtë një idil i kopështit të gjelbëruar, pas të cilit shkojnë qytetarët e lodhur prej modernes. Ndërsa partitë si Fronti Nacional i zgjojnë të tilla emocione dhe luajnë me to. Po, ne të gjithë i kemi parë një herë këto. E kjo është jashtëzakonsiht mbytëse. Shpresa jonë është, që francezët në 18 muajt e ardhshëm të kujtohen, se në fakt ata janë një komb i arsyeshëm. / DW
Sigal