Barak Obama: Terrorizmi do të ndëshkohet

541
Sigal

Akt terrorist kundër Ambasadës Amerikane në Libi. SHBA dislokon trupat antiterroriste

Ambasadori amerikan, Kris Stivens është mes 4  zyrtarëve amerikanë të vrarë gjatë sulmit që ndodhi mbrëmë ndaj Ambasadës Amerikane në Bengazi të Libisë. Dëshmitarët thanë se dëgjuan një zhurmë të fortë dhe tym, si dhe shkëmbim zjarri që u dëgjua për rreth 45 minuta edhe pse jo në mënyrë të vazhdueshme. Qindra manifestues sulmuan Konsullatën Amerikane në qytetin lindor të Libisë, Bengazi, për të kundërshtuar një film, që sipas tyre ofendon Islamin.  Demonstrata antiamerikane kundër filmit u zhvilluan edhe jashtë Ambasadës Amerikane në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro. Të paktën 2.000 demonstrues u mblodhën jashtë ambasadës në kryeqytetin egjiptian. Disa protestues hipën mbi mur, ulën flamurin amerikan dhe e zëvendësuan atë me një flamur islamik. Ky sulm i ri terrorist, dëshmon që terrorizmi si fenomen, nuk duhet nënvlerësuar, sidomos, për disa, që kujtuan, se pas vrasjes së udhëheqësit Osama Bin Landen, terrorizmi nuk do të ketë fuqi goditëse sa më parë.  Presidenti amerikan Barak Obama, dënoi ashpër vrasjen e ambasadorit Stivens, duke thënë është thellësisht mirënjohës për shërbimin e tij. “Ata ishin shembulli më i mirë i përkushtimit të Amerikës ndaj lirisë, drejtësisë dhe partneritetit me vendet dhe popujt e gjithë Globit dhe janë në kontrast të plotë me ata që mizorisht u morën jetën”, shprehet Presidenti Obama në deklaratën e tij, Mësohet se Presidenti ka urdhëruar, gjithashtu, forcimin e masave të sigurisë në të gjitha selitë diplomatike amerikane në mbarë globin. Ministria e Brendshme Libiane raportoi për një sulm të armatosur dhe të shtëna armësh në Ambasadën Amerikane nga disa militantë.

SHBA dislokon një njësi antiterroriste në Libi
SHBA-ja vendosi të dislokojë në Libi një ekip të marinës, i specializuar për luftën kundër terrorizmit, pas sulmit të djeshëm në mbrëmje në Bengazi që u kushtoi jetën katër qytetarëve amerikanë, përfshirë edhe ambasadorin amerikan, njoftoi sot një zyrtar i lartë i Pentagonit. “Marinsat dërguan një ekip ‘Fast’ (Fleet Antiterrorism Security Team – ekipi i sigurisë së flotës antiterroriste) në Libi”, deklaroi zyrtari.
Tirana zyrtare dënon sulmin ndaj Ambasadë Amerikane në Libi
Autoritet e larta shtetërore si dhe politikanë të të gjithë sferës politike në vend kanë dënuar ashpër sulmin ndaj Ambasadës së SHBA në Libi, ku ambasadori amerikan Kris Stivens dhe 3 zyrtarë amerikanë mbetën të vrarë.

Nishani
Presidenti i Republikës Bujar Nishani i ka dërguar një mesazh ngushëllimi Presidentit amerikan, Barack Obama për sulmin ndaj Ambasadës së SHBA-ve në Libi. Gjithashtu, mesazhe ngushëllimi presidentit amerikan Obama, i kanë dërguar Kryeministri Berisha, Kryetari i PS-së, Edi Rama, Kryetarja e Kuvendit, Topalli, si edhe partitë politike të Shqipërisë, duke shprehur solidaritetin për dhimbjen e madhe të vrasjes të 4 zyrtarëve diplomatikë të SHBA-ve.