Avokati shqiptar padit kryeministrin shqiptar dhe ish kryeministrin britanik

572
Një avokat shqiptar ka paditur kryeministrin shqiptar Edi Rama, si dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair, me cilësinë e këshilltarit të kryeministrit shqiptar. Objekt i këtij kallëzimi është për kryeministrin Edi Rama, vepra penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 dhe ndaj shtetasit Tony Blair, me cilësinë e këshilltarit të kryeministrit, për veprën penale të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 të Kodit Penal. Padinë e ka ngritur avokati Sokol Hasani. Kallëzuesi parashtron se është vënë në dijeni të marrëveshjes së lidhur midis qeverisë shqiptare dhe shoqërisë ‘Crown Agents’, me objekt menaxhimin e shërbimeve doganore në Republikën e Shqipërisë. Me qëllim bërjen transparent të kësaj marrëveshje kallëzuesi i është drejtuar disa herë Kryeministrit Edi Rama, duke i kërkuar informacion të detajuar në lidhje me këtë marrëveshje. Sipas kallëzuesit, përgjigjet e ardhura ishin përgjigje kortezie, që nuk sqaronin asgjë. Në vijim është njohur nga shtypi me faktin e mosrealizimit të planit të të ardhurave doganore dhe me faktin se Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave kishte dhënë dorëheqjen nga detyra. Duke vlerësuar këto fakte kallëzuesi pretendon se dhënia me koncesion e shërbimit doganor shoqërisë “Crown Agents”, është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në kundërshtim me interesat kombëtare. Dhënia me koncesion kompanive të huaja e shërbimeve themelore me interes monetar, sipas kallëzuesit sjell jo vetëm dëm ekonomik ndaj nesh dhe përfitim kompanive, por “dëmton moralisht ndërkombëtarët”. Për këto pretendime, kallëzuesi i ishte drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme e cila në datën 09. 06. 2015 ka marrë vendimin për “Mosfillimin e procedimit penal” ndaj shtetasit Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe ndaj shtetasit Tony Blair, këshilltar i Kryeministrit. Kallëzuesi është njohur me këtë vendim dhe në datën 19.06.2015 ka paraqitur pranë Gjykatës së Lartë kërkesë për kundërshtim të vendimit të Prokurorisë së Përgjithshme të datës 09. 06. 2015 për “Mosfillimin e procedimit penal”, e cila në 22 dhjetor 2015, i ka dhënë të drejtë organit të akuzës dhe ka vendosur “Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit Sokol Hasani për kundërshtimin e vendimit të mosfillimit të çështjes penale ndaj shtetasit Edi Rama, lidhur me kallëzimin nr. 690/1, datë 19. 05. 2015”.
Sigal