Autobusi i pasagjerëve përfshihet nga flakët, 52 të vdekur në Kazakistan

148
52 persona kanë humbur jetën në veri-perëndim të Kazakistanit pasi autobusi me të cilin po udhëtonin u përfshi nga flakët. Vetëm pesë pasagjerë arritën të shpëtonin pasi mundën të dilnin jashtë, kanë bërë të ditur autoritetet vendase, të cilët shtojnë se të mbijetuarit u dërguan menjëherë në spital për të marrë trajtimin e duhur.
Aksidenti ndodhi mëngjesin e së enjtes në rajonin Aktobe dhe raportohet se pasagjerët që ndodheshin në autobus ishin nga Uzbekistani.

Mediat e huaja bëjnë të ditur se autobusi u përfshi nga flakët rreth 10 kilometra larg fshatit Kalibaj, në një autostradë që lidh qytetin rus Samara me qytetin kazak Shymkent. Gjithashtu raportohet se zjarri ishte përhapur shumë shpejt në autobusin e modelit Ikarus i prodhuar në Hungari duke e bërë thuajse të pamundur daljen prej tij.
Autobusë të tillë vazhdojnë të përdoren ende në vende të ish bashkimit sovjetik dhe janë shumë të vjetra. Sakaq, ende nuk është zbuluar se çfarë e shkaktoi zjarrin, teksa ngjarja është në hetim e sipër.