Austri, Partia e Popullit dhe e Lirisë arrijnë akord në pika kyçe

569
Partia e Popullit dhe Partia e Lirisë janë një hap më pranë krijimit të koalicionit që do të udhëheqë Austrinë. Liderët e dy forcave politike kanë gjetur akordin në pika kyçe për qeverisjen e vendit, në çështje si kufizimi i emigracionit, ulja e taksave dhe vijimi i angazhimit ndaj Bashkimit Europian.

Partia e Popullit dhe Partia e Lirisë FPO në Austri kanë arritur akordin për angazhim ndaj Bashkimit Europian dhe për buxhetin, si politika themelore për koalicionin e ri qeverisës të vendit.

Konservatorët e udhëhequr nga Sebastian Kurz dhe ekstremistët e djathtë të udhëhequr nga Heinz-Christian Strache, gjithashtu kanë gjetur gjuhën e përbashkët edhe në shkurtimet për përfitimet e mirëqenies për emigrantët, një premtim kryesor i fushatës së Partisë së Popullit. Ulja e taksave dhe reduktmi i joefikasitetit në shpenzimet shtetërore janë të tjera pika për të cilat liderët Kurz dhe Strache kanë rënë dakord.

Bisedimet për krijimin e koalicionit të ri udhëheqës të Austrisë mes Partisë së Popullit dhe FPO nisën një javë më parë. Disa liderë europianë kanë shprehur shqetësim për rikthimin e mundshëm në pushtet të FPO-së, që për herë të parë u bë forcë madhore politike në vitet ’90, nën udhëheqjen e Joerg Haider, i cili vlerësonte politikat e punësimit të Adolf Hitler.
Sigal