Australi, ndalohen përjetë emigrantët e paligjshëm

480
Sigal

Kushdo që mbërrin në Australi me varkë, në mënyrë të jashtëligjshme, për të kërkuar azil, do të ndalohet përjetësisht që të hyjë në ishullin kontinent. Ky është propozimi i ri i qeverisë australiane në kuadër të masave të reja tejet të ashpra antiemigracion.

Propozimi i qeverisë do të dërgohet në Parlament javën e ardhshme. Ai parashikon gjithashtu që vizat t’iu refuzohet edhe atyre që në të ardhmen do të aplikojnë si turistë, për biznes apo të martohen me australianë, nëse më herët do të kenë shkelur ligjin e propozuar.

Kryeministri i Australisë, Malcolm Turnbull tha se kjo lëvizje e qeverisë i dërgon një mesazh të qartë trafikantëve të qenieve njerëzore.

“Amendimi i ligjit për migracionin, që do të paraqitet në Parlament javën e ardhshme, ka si qëllim që të parandalojë personat që mbërrijnë në mënyrë të parregullt në qendrat e procesimit, që të aplikojnë për vizë”, deklaroi Turnbull.

Legjislacioni i ri prek të gjithë personat e dërguar që prej 19 korrikut 2013 në Nauru dhe Manus, kombet ishuj që Australia përdor si qendra procesimi për emigrantët dhe azilkërkuesit, dhe këdo tjetër që ndalohet në të ardhmen.

Ligji nuk përfshin ata nën moshën 18-vjeçare. Sipas Australisë, projekti i ri do të ndalojë ndjeshëm trafikun e qenieve njerëzore, pasi të trafikuarit nuk do të lejohen kurrë të hyjnë në Australi.