Athina kundërshton propozimin e kreditorëve

437
Athina kundërshtoi të premten propozimin e fundit nga kreditorët e saj për një zgjatje 5 mujore të planit prej 12 miliardë euro të shpëtimit duke argumentuar se reformat e kërkuara do të çonin në recesion dhe se financimi do të ishte i pamjaftueshëm. “Propozimi i kreditorëve për qeverinë greke do të kërkonte kryerjen e reformave thellësisht penguese si kusht për financimin, që është totalisht i pamjaftueshëm për një periudhë pesë mujore” thuhet në një deklaratë në përgjigje të një oferte për ndihmë, duke shtuar se qeveria nuk mund të pranojë propozimet e kreditorëve.
Kreditorët ndërkombëtarë të Greqisë – të përbërë nga Komisioni Evropian, Banka Qëndrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i kishin ofruar Athinës zgjatje të programit të saj të shpëtimit, por thanë se duhet të arrihej një marrëveshje këtë fundjavë për të shmangur mospagimin e huasë ndaj FMN-së të martën. Ata do të lëvronin 1.8 miliardë euro për të ndihmuar Athinën t’i paguante FMN-së, këstin 1.5 miliardë euro, por vetëm në se parlamenti grek votonte në favor të një marrëveshjeje për reforma, sipas një dokumenti të siguruar nga shtypi.
Pjesa tjetër e fondeve do të paguhet sipas zbatimit të reformave. “Është e qartë që propozimi i institucioneve, edhe në se ne nuk marrim parasysh reformat dëmtuese dhe penguese, lë një hendek të madh financimi për një periudhë pesë mujore” vazhdon më tej deklarata e Greqisë. “Edhe më shqetësuese, kjo do të çonte në negociata të tjera të vështira” thuhet në deklaratë, duke shtuar se kjo do të sillte një valë të re masash shtrënguese në fund të vitit. Deklarata me tone të forta erdhi pasi kryeministri Alexis Tsipras tha se kundërshtonte çdo ofertë të prerë nga partnerët e tij të BE-së – dhe premtoi t’u qëndronte parimeve kundër masave shtrënguese megjithë humnerën financiare në të cilën rrezikon të zhytet vendi vetëm në pak ditë.
Sigal