Asosacioni i komunave serbe në veri të Kosovës me financim të Beogradit

148
Asosacioni i komunave serbe në Kosovë do të financohet nga Beogradi. Kështu shkruajnë mediat serbe për çështjen më problematike në bisedimet e Brukselit. Sipas radiotelevizionit të Serbisë, në Bruksel është dakordësuar që asosacioni të ketë mundësi të pakufizuar financimi nga Beogradi, por mund të financohet edhe nga qeveria e Kosovës.
Në të njëjtën kohë, asosacioni do të mbledhë vetë të ardhurat si dhe do të ketë buxhetin e tij. Gjithashtu në Bruksel është rënë dakord që asosacioni i komunave nuk do të paguajë taksa në organet e Kosovës.
Pala serbe në bisedimet e Brukselit ka këmbëngulur që asosacioni të shërbejë për të forcuar qeverisjen lokale por në të njëjtën kohë edhe të mbikëqyrë vetë çështje si edukimi, shërbimi shëndetësor, të përgatisë kushtet për kthimin e të larguarve nga Kosova, por edhe të ketë juridiksion mbi çështjet e urbanistikës.
Në organet drejtuese të asosacionit, përveç kuvendit dhe presidentit, do të jenë të përfshirë edhe përfaqësues të kishës ortodokse, trashëgimitë kulturore dhe fetare të së cilës janë shumë të rëndësishme për Beogradin.