Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mbledh udhëheqësit botërorë

490
Udhëheqësit botërorë mblidhen këtë javë në Nju Jork për takimet e përvitshme të OKB-së, ndërsa bota është përfshirë nga konflikte të shumta. Takimet pasojnë një periudhë aktiviteti të shtuar bërthamor dhe të raketave të Koresë së Veriut, si dhe një krize humanitare në rritje në Mianmar. Korespondetja e Zërit të Amerikës, Margaret Besheer, njofton se udhëheqësit botërorë presin gjithashtu të dëgjojnë se çfarë do të thotë Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në fjalimin e tij të parë në OKB.
Dy javë më parë, Korea e Veriut zhvilloi një provë bërthamore të nëndheshme që u dënua në mbarë botën dhe u pasua me një raund të ri sanksionesh të ashpra ekonomike.
Të premten, Peniani lëshoi në mënyrë provokuese një tjetër raketë mbi Japoninë dhe drejt Oqeanit Paqësor, e dyta raketë e këtij lloji brenda një muaji.
Megjithëse ka pak gjasa për gjetjen e zgjidhjeje, çështja e ambicieve bërthamore të Kim Jong Un-it do të jetë në krye të axhendës së udhëheqësve botërorë.
“Do të flitet shumë për Korenë e Veriut në OKB, por realiteti është se i vetmi shans për një zgjidhje diplomatike mund të arrihet në mënyrë bilaterale ndërmjet Uashingtonit dhe Pekinit, pra larg diplomacisë së OKB-së”, thotë Richard Gowan, i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.
Në Mianmar, vendi i njohur ndryshe si Burma, 400 mijë minoritarë myslimanë Rohingya u zhvendosën drejt vendit fqinj Bangladesh, për t’iu larguar shtypjes nga militantët.
Udhëheqësja de facto e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, nuk do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ndërsa po kritikohet se nuk ka vepruar për të ndalur dhunën. Megjithë mungesën e saj, janë planifikuar të zhvillohen dy takime të nivelit të lartë të OKB-së për këtë krizë në rritje.
Mendohet se udhëheqësit botërorë do të përpiqen gjithashtu të bindin Presidentin Trump të mos tërhiqet nga marrëveshja e vitit 2015 që synon ta pengojë Iranin të përftojë bomba bërthamore. Ai e ka quajtur marrëveshjen “të tmerrshme” dhe ka kërcënuar se do ta prishë.
“Mendoj se kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme që kontribuoi për uljen e tensionit dhe është një faktor stabiliteti. Të gjitha palët duhet të bëjnë gjithçka munden që kjo marrëveshje të ruhet”, tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.
Udhëheqësit botërorë do të diskutojnë edhe për uraganin Irma, që rrënoi pjesë të Karaibeve dhe Floridës. Ata do të përqëndrohen tek reagimi ndaj uraganeve, si dhe tek ndërtimi i komuniteteve që t’i përballojnë më mirë katastrofat natyrore dhe ndryshimet klimatike.
Disa mendojnë se ndoshta uraganët Irma dhe Harvey do ta bindin Presidentin Trump për të anuluar vendimin e tërheqjes së SHBA-së nga marrëveshja e Parisit për klimën, e cila tashmë është firmosur nga 190 vende.
“Ka dhënë disa shenja se ndoshta nuk do të tërhiqet. Nëse e njofton këtë në Nju Jork, do të jetë një fitore diplomatike për të, pasi do të fitojë vëmendjen e shumë udhëheqësve botërorë”, mendon zoti Gowan.
Udhëheqës të rëndësishëm, si Vladimir Putin, Xi Jinping, apo Angela Merkel, do të mungojnë në këtë Asamble të Përgjithshme. Ndërsa për të tjerë, si Presidenti Trump dhe Presidenti francez Macron, kjo do të jetë pjesëmarrja e tyre e parë dhe do të jenë në qendër të vëmendjes.
Sigal