Arrestohet sekretari i VV, reagon lëvizja: Po mbajnë regjimin me dhunë

505
Një ditë pas protestës së Opozitës, policia e Kosovës ka arrestuar në këto momente sekretarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj.
Arrestimin për Dardan Molliqaj e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
“Policia ka zbatuar udhresën e Gjykatës Themelore, dhe i njejti D.M. është arrestuar”, ka thënë për Gazetën Express, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha. Po ashtu, arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe Adonis Tahiri nga Vetëvendosje. Molliqaj është arrestuar për shkak të mosparaqitjes në seancë për rastin e dëmtimit të veturave të EULEX-it.
Policia deri tani ka arrestuar 8 pjesëtarë të VV-së. Mes tyre edhe Glauk Konjufcën dhe Frashër Krasniqin.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i VV. Në një postim në FB, VV kërkon lirimin e Molliaqajt dhe të gjithë aktivistëve të tjerë të arrestuar. Sipas VV, kjo qeveri e delegjitimuar, po mbahet me dhunë nuk do të ketë drejtësi derisa të largohet kjo qeveri.
“Regjimi në largim, nga paniku arreston edhe Dardan Molliqajn
Sot, në orët e para të mëngjesit pushteti policor ka arrestuar Dardan Molliqajn, Sekretarin Organizativ të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Gjatë këtyre muajve, argumentet e faktuara dhe rezistenca e Opozitës së Bashkuar kanë mobilizuar masat në Kosovë në protesta gjithëpopullore. Protesta madhështore e 17 shkurtit ia ka bërë të qartë Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit se ditët e këtij regjimi antipopullor janë të numëruara. Prandaj, në panik e sipër ata po përdorin të gjithë aparatin e dhunës si mjeti i fundit për të mbajtur në këmbë regjimin e tyre te delegjitimuar.
Nuk ka dhunë që mund ta ndalë frontin e gjerë shoqëror të rezistencës që është ngritur kundër këtij regjimi. Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon lirimin e menjëhershëm të Dardan Molliqajt dhe të të gjithë aktivistëve të tjerë që po mbahen të burgosur për shkak se kanë qenë në ballë të këtij fronti.
Deri në lirimin e të gjithë aktivistëve dhe deri në ditën e largimit të këtij regjimi shtypës policor, në Kosovë nuk mund të ketë drejtësi dhe qetësi.”
Sigal