Arrestohet Sandro Rosell, ish-presidenti i Barcelonës nuk iu shpëton hetimit të amerikanëve

484
Problemet me Sandro Rosell nuk kanë të mbaruar.
Ish-presidenti i Barcelonës aktualisht po gjykohej për çështjen Neymar, por para se gjykata të jepte verdiktin e saj ai është arrestuar për një tjetër çështje. Policia spanjolle ka vënë në pranga Rosell me akuzën e pastrimit të parave dhe fshehjes së fondeve, raporton “Marca”.

Arresti i ish-numrit 1 të Barcelonës ka ardhur me kërkesë të SHBA-së e cila ka përfshirë emrin e Rosell në hetimin rreth Rikardo Teikseiras, ish-presidentit të Federatës Braziliane të Futbollit.

Të dy ishin aksionerë në kompaninë “Alianto” dhe me sa duket, kanë fshehur miliona euro duke pastruar sasi të mëdha parash. Në momentin e arrestimit akuza që iu komentua ishte ajo e “mbledhjes së komisioneve të jashtëligjshme, të siguruar nëpërmjet shitjes së të drejtës së imazhit të Kombëtares braziliane të futbollit”.
Këto para, pastroheshin nëpërmjet kompanive të krijuara posaçërisht në parajsa fiskale. Rosell ishte një nëpunës i Federatës Braziliane të Futbollit para se të fillonte punë në stafin drejtues të Barcelonës, derisa u bë president i këtij klubi. Teikseira është bërë pjesë e hetimeve të SHBA rreth zyrtarëve të korruptuar të FIFA-s që arrestuan dy vite më parë në Zvicër.
Sigal