Arrestohen dy grekë me 106 kg kanabis shqiptar

519
Dy shtetas grekë janë arrestuar nga policia vendase, të akuzuar për transportin e më shumë se 100 kg kanabis, që e kishin marrë në kufirin me Shqipërinë.

Ata u diktuan në afërsi të Kosturit nga policia që dyshoi dhe u vu në ndjekje të tyre.

Dy trafikantët e moshës 34 dhe 28 vjeç, u larguan me shpejtësi të madhe duke përfituar edhe nga fakti se po përshkonin autostradën. Mirëpo, kur e panë që nuk kishin shanse për t’i shpëtuar ndjekjes, abandonuan mjetin e tyre dhe u larguan me këmbë, dhe u futën në zonën pyjore rreth autostradës.

Në automjetin e tyre policia gjeti pesë çanta udhëtimi, me 106,2 kg kanabis, të ambalazhuar në 92 paketa.

Ndërkaq, operacioni për kapjen e tyre u finalizua me sukses pas disa orësh. I pari u kap 34 vjeçari, që ishte fshehur në afërsi të vendngjarjes.

Ndërsa personi tjetër, i moshës 28 vjeç, u arrestua në qytetin e Grebenesë.

U sekuestrua droga e llojit kanabis, me peshe 106,2 kg, automjeti si dhe dy telefona celularë e tri karta SIM.

Ndërsa dy të arrestuarit janë dërguar në prokurorinë e Kosturit, policia thotë se po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sigal