Arrestohen 19 punonjës të policisë së Kosovës dhe disa qytetarë në një operacion

456
Sigal

Policia e Kosovës tha se ka ndaluar një numër zyrtarësh policor dhe disa qytetarë në një operacion në disa komuna në Kosovë dhe është përballur me rezistencë të armatosur në veriun e banuar me shumicë serbe, me ç’rast një pjesëtar i policisë është plagosur lehtë.

Miradije Kelmendi, nga Inspektorati Policor i Kosovës, tha se gjatë operacionit janë kryer 12 bastisje dhe janë arrestuar disa zyrtarë policorë.

“Janë arrestuar 19 punonjës të policisë së Kosovës, prej tyre 11 të nacionalitetit serb, 4 shqiptarë dhe 4 boshnjakë. Nga ta, njëri është i gradës së kapitenit, 3 rreshterë dhe të tjerët zyrtarë policorë. Janë konfiskuar gjëra të ndryshme ilegale që do të shërbejnë si provë materiale në procedurat penale si armë, pajisje teknologjike dhe sasi parash. Zyrtarët janë ndaluar për 48 orë dhe si pjesë e procedurës administrative janë suspenduar nga detyra”, tha ajo.

Prokuroria e Posaçme e Kosovës, bëri të ditur se që nga muaji prill i vitit të kaluar ka filluar veprimet procedurale ndaj disa personave të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për veprën penale të krimit të organizuar, për veprën penale të kontrabandës me mallra, marrje dhe dhënie ryshfeti.

“Gjatë kësaj periudhe po ashtu prokuroria e posaçme ka dëgjuar edhe një numër të konsiderueshëm të dëshmitarëve të cilët i kanë kontribuar grumbullimit të fakteve për veprat e dyshuara penale. Pas këtij aktiviteti pothuajse një vjeçar, prokuroria e posaçme e Republikës së Kosovës pasi i grumbulloi provat e nevojshme i ka kërkuar gjykatës themelore në Prishtinë respektivisht gjyqtarit të procedurës paraprake një kontroll nëpër shtëpi dhe lokale përcjellëse për të gjithë këta të dyshuar”, tha prokurori i posaçëm Sylë Hoxha.

Drejtori i policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, tha se operacioni u shtri në disa rajone të ndryshme, përfshirë komunat Zveçan, Zubin Potok, Leposaviç, Mitrovicë e Veriut, Mitrovicë e Jugut, Skenderaj dhe Drenas.

“Në shumicën prej komunave ku i kemi pasur të dyshuarit, qoftë qytetarë apo zyrtarë policorë, operacioni ka rrjedhur normalisht dhe pa pengesa, pa probleme. Mirëpo, kemi pasur bukur shumë probleme në komunën e Zubin Potokut, meqenëse qysh në mëngjes me t’u nisur policia për realizimin e urdhër arrestit dhe bastisjes së disa lokacioneve, ka hasur në një pritë me gjuajtje me armë kundër policisë me ç’rast kemi pasur të plagosur një zyrtar policor i cili është plagosur lehtë, gjendet në spital por nuk është i rrezikuar me jetë”, tha zoti Qalaj.

Zoti Qalaj tha se dy zyrtarë të Misionit të UNMIK-ut në Kosovë janë shoqëruar në polici.

“Është e vërtetë që në përpjekjet për mënjanimin, largimin e barrikadave dhe për të arritur të lokacionet që i kemi pasur në plan për bastisje njëra nga barrikadat ka qenë edhe një veturë e UN-it dhe në të ka qenë një zyrtarë i UN-it ndërkombëtar me prejardhje nga Rusia dhe një zyrtar lokal që punon po për UN-in, kjo është edhe arsyeja që ne i kemi shoqëruar në polici”, tha ai.

Të dy punonjësit e UNMIK-ut u lanë të lirë, ndërsa ndalimi i tyre kishte nxitur reagimin e ministrisë ruse të Punëve të Jashtme dhe të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Policia tha se edhe katër pjesëtar të saj kanë pësuar lëndime dhe se gjatë operacionit, janë lënduar edhe gjashtë qytetarë.

Grupe qytetarësh serbë dolën në rrugë pas operacionit, ndërsa autoritetet serbe në Beograd thanë se operacioni ka për qëllim të frikësojë popullatën serbe.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se ka urdhëruar që ushtria dhe policia të jenë në gjendje gatishmërie dhe i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtare që të ndërhyjë për të “frenuar Prishtinën”.

Një natë më parë, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, gjatë një fjalimi në parlamentin serb pranoi që Beogradi e ka humbur kontrollin mbi Kosovën, por paralajmëroi se Serbia do të reagojë nëse shqiptarët sulmojnë serbët në Kosovë.

Forcat paqeruajtëse të NATO-s thanë ndërkaq se ky “ishte vetëm një operacion policor dhe se as Forca e Sigurisë së Kosovës ose ndonjë forcë tjetër ushtarake nuk është vendosur në veri të Kosovës” dhe se “askush nuk ka nevojë të frikësohet”.

Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet një nga zonat më pak të kontrolluara të vendit. Në një raport të publikuar ditë më parë nga Observatori i Shoqërisë Civile Kundër Krimit të Organizuar në Evropën Juglindore, veriu i Kosovës përmendet në veçanti si një zonë gri dhe e përshkuar nga aktivitete të paligjshme.