Arrestimi i Kurtit, Qeveria: Opozita grupim i ngushtë politik pa përkrahje popullore

432
Një ditë pas manifestimit – pasuar me arrestimin e themeluesit Albin Kurti dhe mësymjen e policisë në zyrat e “Vetëvendosjes”- qeveria e quan opozitën grupin të ngushtë politik pa përkrahje popullore, dhe kjo fundit nuk do anarki. Qeveria thotë se nuk do të ndërhyjë në asnjë institucion por e quan të papranueshme çdo sjellje të dhunës. Përmes një deklarate për shtyp qeveria deklaron se ka iniciuar ekspertizë ndërkombëtare për procesin e përkufizimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Reagimi i plote i qeverise
Qeveria e Republikës së Kosovës përshëndetë mbarëvajtjen e protestës së partive opozitare, të mbajtur më 28 nëntor 2015, në Prishtinë. Qeveria e Republikës së Kosovës, po ashtu, çmon lartë sjelljen e qytetarëve të Prishtinës dhe tërë Kosovës, të cilët vazhduan aktivitetet e tyre kremtuese për nder të Festës së 28 Nëntorit.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar gatishmëri për të biseduar rreth shqetësimeve të subjekteve opozitare. Në këtë drejtim, Qeveria është duke pritur interpretimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës për Marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, si dhe ka iniciuar ekspertizë ndërkombëtare për procesin e përkufizimit të vijës kufitare ndërmjet vendit tonë dhe Malit të Zi, duke siguruar ballafaqimin e argumenteve të Komisionit shtetëror dhe të opozitës. Prandaj, Qeveria vlerëson se askush, andaj as opozita, nuk duhet të frikësohet nga e vërteta, por çdonjëri duhet të ballafaqohet me të. Për Qeverinë e Republikës së Kosovës, çdo përpjekje për të përdorur këto procese të rëndësishme për të sotmen dhe të ardhmen e vendit tonë, për qëllime politike e partiake, është e papranueshme.

Numri i kufizuar i pjesëmarrësve në protestën e 28 Nëntorit, në krahasim me parashikimet e opozitës, edhe përkundër shpenzimeve të mëdha për transportin e siguruar nga të gjitha anët e vendit, flet se shumica dërmuese e qytetarëve kërkojnë zgjidhje institucionale të problemeve, stabilitet të vendit, paqe, zhvillim ekonomik dhe siguri, e jo anarki për qëllime të një grupi të ngushtë politik. Krahas flamurit kombëtar, qytetarët e vendit tonë respektojnë simbolet, flamurin dhe shtetin e tyre të pavarur. Përdorimi i dhunës në Kuvend, hedhja e vezëve, gazit lotsjellës dhe sprejit, si dhe sulmet ndaj Kryeministrit të vendit e pjesëtarëve të Qeverisë, kërcënimet e VV-së se qeveritarët nuk do të kenë jetë private, si dhe materialet dhe pajisjet që policia gjeti në Selinë e VV-së, flasin se deri në çfarë shkalle ka degraduar organizimi i opozitës, sidomos i Lëvizjes VV, kundër Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj.

Qeveria e Republikës së Kosovës u jep mbështetje të plotë organeve kompetente për zbatimin e ligjit në Kosovë, Policisë së Kosovës, Prokurorisë së shtetit dhe organeve gjyqësore, ndërsa thekson se në asnjë mënyrë nuk ka ndërhyrë, n uk po ndërhynë dhe nuk do të ndërhyjë, për asnjë moment, në kompetencat dhe përgjegjësitë e pushteteve tjera. Qeveria e Kosovës përkrahë plotësisht mbajtjen e rregullt të seancave të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kuvendi është vendi ku zhvillohet debati demokratik për çdo shqetësim të pozitës, opozitës dhe të qytetarëve të Kosovës, kurse është e papranueshme çdo sjellje e dhunshme që pengon punën normale të Kuvendit dhe rrezikon jetën e deputetëve, anëtarëve të Qeverisë, mediave dhe pjesëmarrësve tjerë.
Sigal