Armëpushim në Ukrainë

459
Një tjetër marrëveshje armëpushimi ka hyrë sot në fuqi në Ukrainën lindore, pas marrëveshjes që arritën përfaqësuesit e qeverisë ukrainase dhe ruse në Konferencën e Sigurisë së Mynihut, dialog në të cilin ishin gjithashtu të pranishëm zyrtarë të Gjermanisë dhe Francës si dy aktorë mjaft të rëndësishëm në firmosjen e marrëveshjes së Minskut.

Aktualisht, situata vijon të mbetet e tensionuar pasi përgjatë 30 muajve që kemi lënë pas palët kanë patur vazhdimisht përplasje të armatosura.

Në bazë të akordit të ri, ushtria e Ukrainës dhe rebelët separatistë që mbështeten nga Rusia duhet që të tërheqin armët dhe makineritë e rënda ushtarake larg frontit të luftës, veprim që supozohet t’i hapë rrugën negociatave për të gjetur një zgjidhje politike.

Dicka e tillë duket si një skenar mjaft i vështirë, pasi burimet e mediave ndërkombëtare komunikuan se ministrat e jashtëm të katër vendeve nuk kanë shënuar progres në bisedimet për dhënien fund të konfliktit.

Ukraina pretendon se Rusia e ka dhunuar rëndë sovranitetin e saj, fillimisht me Gadishullin e Krimesë e më pas me mbështetjen e separatistëve në pjesën lindore të vendit. Nga ana tjetër, Moska ka deklaruar se do të vijojë të mbështesë përpjekjet e rebelëve për të vendosur fatin e tyre në mënyrë demokratike.

Në takimin katër palësh, perëndimorët kanë lëshuar edhe një apel për Rusinë, të cilës i kërkojnë që t’u përmbahet zotimeve të saj në marrëveshjen e Minskut. Akordi për armëpushimin ka hyrë në fuqi ditën e sotme, ndonëse ekpertët mbeten skeptikë mbi ardhmërinë e tij.
Sigal