Arabi Saudite/ Për herë të parë do të votojnë dhe gratë

555
Katër vjet pasi Mbreti Abdullah njoftoi se grave do t’u sigurohen të drejta të barabarta për të votuar dhe për të kandiduar në poste zyrtare, gratë në Arabinë Saudite regjistrohen për të votuar. Mbretëria e Arabisë Saudite e hapi regjistrimin në Mekë dhe Medinë, një javë para se pjesa tjetër e vendit, para zgjedhjeve që do të mbahen në dhjetor.
Ditën e diel, Jamal Al-Saadi dhe Safinaz Abu Al-Shamat u bënë gratë e para në historinë e vendit, që do të votojnë për zgjedhjet lokale në Medinë dhe në Mekë, sipas gazetës “Saudi Gazett”.
“Votimi është një ëndërr për ne”, tha Al-Saadi për gazetën. “Do t’i lejojë gratë saudite të thonë fjalën e tyre në procesin e vendimmarrjes”, shkruan “IBT News”.
Edhe pse qeveria premton ta shfuqizojë diskriminimin ndaj grave në vend, sistemi diskriminues i kujdestarisë mashkullore në Arabinë Saudite vazhdon të dominojë jetët e grave. Sipas Human Rights Watch, sistemi i ndalon gratë të marrin pasaportë, të martohen, të udhëtojnë, t’i japin makinës, apo të kenë akses në arsimin e lartë, pa miratimin e një kujdestari mashkull, zakonisht burri, babai, vëllai, apo djali.
Mbreti i ndjerë kërkoi që femrat të lejohen të kandidojnë për poste zyrtare dhe të zgjedhin përfaqësuesit në zgjedhjet e vitit 2015, pasi një protestë e mediave sociale për mungesën e të drejtave të grave ngjalli zemërim në internet në vitin 2011. Mbreti Abdullah emëroi gra në organin këshilldhënës prej 150-anëtarësh të vendit dhe lejoi atletet femra të konkurojnë në Lojërat Olimpike në Londër në vitin 2012 për herë të parë.
Pasardhësi i tij, Mbreti Salman i cili mori vendin në fillim të këtij viti, ka vazhduar të mbështesë përparimin e grave, duke çuar në një fluks të madh të punëtoreve femra që hyjnë në forcën e punës me një numër rekord. Ekspertët thonë se qasja e femrës në forcën e punës duhet të rritet për të siguruar qëllimet afatgjata ekonomike dhe prosperitetin në Lindjen e Mesme.
Sigal