Arabi/ Ekzekutohen 37 persona

433
Sigal

Mbretëria ultra konservatore e Arabisë Saudite ka ekzekutuar 37 persona të martën, në atë që njihet si ekzekutimi masiv më i madh në vend në 3 vitet e fundit.

Të paktën 33 prej të ekzekutuarve ishin pjesë e komunitetit shiit të vendit, ç’ka e bën këtë ‘ekzekutimin më të madh të shiitëve në historinë e mbretërisë’, tha disidenti Ali Al-Ahmed.

Ministria e Brendshme e Arabisë Saudite tha se burrat u ekzekutuan pasi ishin dënuar për rolin e tyre në përhapjen e ideologjive ekstremiste dhe krijimin e qelizave terroriste. Sipas ministrisë, të ekzekutuarit kishin ushqyer tensionin sektar në vend me qëllim zhytjen e tij në kaos.

Veprimi i Riadit u kritikua ashpër nga grupet e të drejtave të njeriut. Një prej të ekzekutuarve, i cili raportohet të ketë qenë një militant suni, u var në një shtyllë dhe u vendos në shfaqje për publikun që të shërbente si shembull.

‘Amnesty International’ tha se 11 burra u ekzekutuan pasi u shpallën fajtorë për spiunim tek Irani, ndërsa 14 të tjerë pasi kishin kryer krime të dhunshme gjatë protestave anti-qeveritare në vitet 2011-2012.

Arabia Saudite ka ekzekutuar më shumë se 100 persona që prej nisjes së vitit 2019, ndërsa deri në fund të vitit pritet të kalojë numrin e 149 ekzekutimeve të kryera vitin e kaluar.