Sigal

Një gjykatë britanike ka dhënë 9 muaj burg për “kopshtarin” shqiptar, i cili kishte për detyrë të kujdesej për një fabrikë kanabisi në Chester.

Erjon Manari, 27-vjeç, u shpall fajtor për prodhim të drogave të klasit B, megjithatë ky aktivitet i jashtëligjshëm drejtohej nga njerëz të tjerë.

I riu u kap më 19 Korrik, kur policia ndërmori një operacion në vendin ku banonte, në Devonshire Place, Handbridge.

Manari fillimisht u dha autoriteteve një identitet fals, Andrij Nemcov.

Gjatë seancës ku u dha dënimi, gjykata e Chester u njoh me faktin se një e korrë e vetme mund të prodhonte nga 6 deri në 18 kilogramë kanabis, vlera e së cilës do të ishte mijëra paund në treg.

Ky aktivitet u përshkrua nga autoritetet britanike si i “sofistikuar”. Trafikantët e kishin lidhur energjinë elektrikë në mënyrë që tillë që kompania të mos kuptonte sasinë e madhe të energjisë që po përdorej në këtë fabrikë.

Gjykatësi Simon Berkson pranoi se roli i Manarit ishte thjesht ai i “kopshtarit”.

“Koha e shkurtër që shpenzove në këtë shtet u kthye në fatkeqësi për ty”, i tha gjykatësi shqiptarit.

Manari do ta kalojë gjysmën e dënimit të tij në burg, ndërsa gjysmën tjetër në liri me kusht.

Image