Angela Merkel i propozon BE-së shkurtimin e fondeve për Turqinë

670
Kancelarja gjermane Angela Merkel i ka propozuar Bashkimit Europian të shkurtojë fondet e ndihmës për Turqinë. Sugjerimi vjen pas kritikave të Perëndimit për arrestimet masive që pasuan përpjekjen për grusht shteti një vit më parë. Si vend kandidat për anëtarësim në BE, Turqia përfiton 4.5 miliardë euro fonde ndihmuese.

Bashkimi Europian po shqyrton shkurtimin e ndihmës që i jep Turqisë, me propozim të kancelares gjermane Angela Merkel. Në samitin e organizuar në Bruksel, Merkel parashtroi këtë çështje duke e lidhur kërkesën e saj me kritikat e Perëndimit ndaj respektimit të të drejtave të njeriut në Turqi.

“Kemi shqetësime të mëdha,” -u shpreh kancelarja, duke iu referuar arrestimeve masive në Turqi, qëkur Presidenti Recep Tayyip Erdogan shtypi një përpjekje për grusht shteti qershorin e kaluar.

Si një vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, Turqia merr një ndihmë prej 4.5 miliardë eurosh nga Unioni, për periudhën 2014-2020. Ndihma ka për qëllim të financojë rritjen e institucioneve publike turke në standardet europiane, përfshi këtu edhe sistemin gjyqësor.

Shuma përdoret edhe në të tjerë sektorë si edukimi, trajnimi, infrastruktura dhe agrikultura. Theksojmë se Turqia gjithashtu merr një tjetër fond nga Bashkimi Europian për të ndihmuar 3 milionë refugjatë që strehohen atje. Për këtë çështje, zonja Merkel ka vlerësuar punën e bërë nga pala turke.
Sigal