Analiza – Faktorët që sollën fitoren e Donald Trumpit

478
Sigal

Fushata presidenciale dhe
procesi zgjedhor në Shtetet e Bashkuara kanë marrë fund duke nxjerrë fitues
republikanin Donald Trump. Që në orët e vona të ditës së martë u bë e qartë se
zoti Trump kishte siguruar votat e nevojshme elektorale për të fituar zgjedhjet
presidenciale. Rivalja e tij, Hillary Clinton pranoi të mërkurën humbjen dhe
përgëzoi kundërshtarin, duke uruar që ai të jetë “një president i suksesshëm për
të gjithë amerikanët”. Urime i përcolli zotit Trump edhe Presidenti Barak
Obama.

Zoti Trump siguroi një fitore
thuajse të pamundur për t’u bërë presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara.
Biznesmeni miliarder, i cili u nënvleftësua gjatë gjithë fushatës, madje edhe u
vu shpesh në lojë nga analistët dhe nga shtypi, siguroi 288 vota elektorale.
Kur të vijë në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, zoti Trump do të jetë komandanti
i parë i përgjithshëm që nuk është zgjedhur kurrë më parë në një post publik,
nuk ka shërbyer në radhët e ushtrisë dhe nuk ka pasur asnjë post të lartë
qeveritar. 70-vjeçari Trump do të jetë personi me moshë më të madhe i
sapo-zgjedhur president.

Pas një fushatë të ndezur dhe
shpesh me ofeza të ulëta dhe sulme personale, zoti Trump u përpoq të rikthente
një ton ripajtimi dhe uniteti:

“Zotohem para çdo qytetari të këtij vendi të jem
president i të gjithë amerikanëve,”
tha
në fjalën para përkrahësve zoti Trump, pasi ishte konfirmuar fitorja e tij.

Deri në ditën e zgjedhjeve,
mendohej se zonja Clinton do t’i fitonte zgjedhjet, pasi anketat e kishin
favorizuar kandidaten demokrate shumicën e kohës. Realiteti dëshmoi se anketat
ishin gabuar dhe se zgjedhësit përqafuan kandidatin me mesazhin e një
konkurrenti që nuk kishte të kaluar brenda qarqeve politike dhe si i tillë do
të dinte ta ndryshonte Uashingtonin. Ai arriti të shfrytëzonte irritimin e
votuesve ndaj elitës politike të vendit dhe ankthin në lidhje me gjendjen e
ekonomisë.

Fitorja e zotit Trump mbylli një
prej fushatave më të kontestuara dhe më përçarëse në historinë amerikane. Në
aktivitete fushate, në intervista e biseda, kandidatët nuk i kursyen sulmet
personale ndaj njëri-tjetrit.

Në qendrën e operacioneve të
fushatës Trump, aktivistët ishin të elektrizuar, megjithëse ende ndjehej shija
e hidhur e përçarjes që kishte lënë fushata. Sapo u bë e qartë se zoti Trump do
të merrte një numër të mjaftueshëm votash për të fituar presidencën, punonjës
të fushatës filluan të brohorisnin “Futeni në burg!” një aludim për komentet që
bëri Donald Trump gjatë një debati me zonjën Clinton, ku tha se do të udhëzonte
një proces hetimor për ta futur në burg ish-Sekretaren e Shtetit për
keq-menaxhimin e komunikimeve shtetërore si shefja e diplomacisë amerikane.

Për javë me radhë para
zgjedhjeve, zoti Trump nuk kishte përfillur anketat që tregonin se ai do të
humbiste, duke i cilësuar si statistika të manipuluara kundër tij. Anketat me
zgjedhësit që sapo kishin votuar tregonin se kandidati republikan kishte
përfituar nga një pjesëmarrje më e lartë e bazës republikane, kryesisht
amerikanë të bardhë nga zona rurale, përgjithësisht pa arsim të lartë. Shumë
prej tyre e gjejnë veten të izoluar nga një ekonomi e ndikuar nga ndryshimet
globale dhe u mobilizun nga komentet e zotit Trump kundër tregtisë së lirë dhe
kundër imigracionit, si për shembull zotimi i tij për të ndërtuar një mur
përgjatë kufirit me Meksinën dhe për ta detyruar Meksikën të mbulojë shpenzimet
e murit për të penguar futjen e imigrantëve të paligjshëm.

Megjithëse nuk gëzonte mbështetje
mes pakicave, grave dhe votuesve më të arsimuar, të cilët mbështesnin zonjën
Clinton, përkrahja e votuesve të bardhë të klasës punëtore mjaftoi për ta
nxjerrë kandidatin republikan në krye të garës. Sipas anketave me votuesit që
sapo kishin hedhur votën, 9/10 e afrikano-amerikanëve dhe 2/3 e hispanikëve
kishin votuar për zonjën Clinton.

Zoti Trump do të ketë edhe
mbështetjen e dy dhomave të kongresit që do të jenë nën kontrollin e
republikanëve, të cilët arritën të ruajnë shumicën në të dyja këto dhoma në
zgjedhjet e së martës. Kjo nënkupton që republikanët do të mbushin vendet boshe
në Gjykatën e Lartë me kandidatë që pritet të sjellin pikëpamje më
konservatore.

Kryetari i Dhomës së
Përfaqësuesve, republikani Paul Ryan, tha se zoti Trump kishte arritur një
fitore shumë të madhe politike. Zoti Ryan u zotua të punonte për një axhendë
legjislative në harmoni me presidentin e ardhshëm.

Megjithatë, Partia Republikane
ndeshet me një numër sfidash masive, sidomos pas përçarjeve që shkaktoi
kandidatura e zotit Trump. Gjatë fushatës së tij Donald Trump ka sulmuar
republikanët e qendrës dhe ka kundërshtuar hapur shumë parime të konservatorizmit
tradicional.

“Kemi
përpara një skenar të panjohur,” thotë formuluesi i strategjisë për Partinë
Republikane, Ron Bonjean. “Kjo është një fitore e paparashikuar nga një person
pa të kaluar politike, i cili e ka tronditur nga themelet Partinë Republikane
dhe tani po vjen në Uashington me një forcë tronditëse”./VOA/