Amerikanët parashikuan qysh në 1981 shpërbërjen e Jugosllavisë

520
Sigal

SHBA: “Shqipëria pretendime territoriale, kërkon të marrë Kosovën”

SHBA ka parashikuar dekada më parë, që vdekja e Titos, do të sillte edhe shpërbërjen e Jugosllavisë, por do të zgjonte ndjenjën e hershme të Shqipërisë së Enver Hoxhës, për të rimarrë Kosovën. Qysh nga ndarja e madhe e vitit 1913, Kosova gjithmonë ka qenë, dhe vazhdoi deri në vitin 1981 kur nisën protestat masive, të ishte “rebelja” e ish-Jugosllavisë, kjo pasi shqiptarët e asaj zone, e cila historikisht i përkiste Shqipërisë, kurrë nuk duruan zgjedhën sllave, pavarësisht se pas vitit 1954, Tito, u mundua të proklamonte “shpalljen e reformave radikale që përmirësonin jetën e kosovarëve me ligj”. Kështu duke analizuar fakte mësojmë se, miratimi në Kuvendin e Jugosllavisë i “Ligjit Ushtarak në Kosovë”, bëri që regjimi Titos, të përballet me tensione të cilat zgjatën afro 3 dekada. Duket se vdekja e udhëheqësit komunist të ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito, shtoi etnike, duke rrezikuar pavarësinë dhe integritetin territorial. Propaganda jugosllave përmes agjencisë telegrafike “TANJUG” shprehej se “trazirat po stimulohen nga armiqtë e huaj, kryesisht Shqipëria fqinje, e cila shihet si shkaktare shqetësimeve në provincën autonome të Kosovës, e banuar kryesisht nga shqiptarët etnikë”. Kurse “Politika”, një tjetër e përditshme e Beogradit e viteve 1980, shkruante se “udhëheqësit komunistë kosovarë, për interesa antikombëtare janë përfshirë në trazira, ku mbetën të vrarë nëntë persona dhe u plagosën më shumë se 250 veta, është herët për të arritur në konkluzione, por deri tash, kemi të bëjmë me gabime me dashje politike, e rëndësishme është të nisë e të rikthehet besimi, Jugosllavia është një shtet shumëkombësh i përbërë nga gjashtë republika dhe dy provinca autonome”. Tito, gjatë gjithë periudhës 35 vjeçare që drejtoi Jugosllavinë, arriti t’i mbante fort krahinat autonome, duke i çuar drejt një identiteti kombëtar, pavarësisht kulturave të tyre. Kosova mishëronte kundërshtitë më të ashpra në gjithë Jugosllavinë. Kosova, sipas historianëve falsifikues serbë e kroatë, “është vendi shtetit mesjetar serb të shkatërruar nga turqit otomanë në vitin 1393, çdo fëmijë serb edukohej me legjendat dhe këngët folklorike për betejën që u zhvillua në Prishtinë”. Serbët e konsiderojnë Kosovën si, “provincën e të parëve” kur ajo realisht banohej nga 1 milionë shqiptarëve etnikë, ose 75 për qind e popullsisë së Kosovës. Serbët atje realisht janë minoritet, që po tkurren gjithnjë e më tepër për shkak të përqindjes shumë të lartë të shqiptarëve kosovarë, më e larta në Evropë me 31 lindje për 1000 banorë. Kjo lloj tendence demografike është përshpejtuar dhe pas një eksodi të ngadaltë dhe të vazhdueshëm të serbëve. Që prej vitit 1968, shqiptarët kanë dominuar jetën politike të Kosovës, duke zëvendësuar serbët me kosovarët, kanë ngritur një universitet në Prishtinë dhe e shndërruan shqipen në gjuhë zyrtare të tyre. Ajo çka i bën më komplekse sforcimet etnike dhe gjuhësore është fakti që serbët janë ortodoksë, ndërsa pjesa dërrmuese e shqiptarëve janë myslimanë. Kosova ishte vendi më i varfër i të gjitha provincave të ish- Jugosllavisë. Të ardhurat për frymë janë sa 1/6 e të ardhurave të Sllovenisë. Provinca të tjera kanë kontribuar me fonde të konsiderueshme për të ndihmuar ekonominë e Kosovës dhe këto kontribute përbëjnë afërsisht 70 % të buxhetit të Kosovës. Zhvillimi i shpejtë ka qenë i jashtëzakonshëm, edhe pse industritë e ngritura kanë nivel të ulët prodhimtarie, ndërsa potenciali agrokulturor nuk është shfrytëzuar maksimalisht. Çështja e pabarazisë ekonomike nuk ishte problemi që shqetësonte Kosovën, sepse problemi kryesor qëndron në numrin e shqiptarëve etnikë që jetojnë në ish- Jugosllavi dhe pranë kufirit jugosllav dhe atij me Shqipërinë. Afro 1 milionë shqiptarëve në Kosovë, u shtohen edhe rreth 300.000 shqiptarët e tjerë në që jetojnë në Mal të Zi dhe Maqedoni, duke e çuar numrin e popullsisë shqiptare në 2.2 milionë banorë. Historianët dhe analistët e viteve ‘80 shpesh kanë ngritur pyetjen se edhe sa kohë mund të qëndrojnë politikisht të ndara këto dy komunitete? Situata shpërthyese në Kosovë, erdhi kur u forcuan ambiciet nacionaliste dhe ekonomike. Në vitin 1981, protestuesit përparuan në kërkesat e tyre për të kaluar nga një “provincë autonome e Serbisë” në një “Republikë me të drejta të plota kushtetuese”, gjë e cila kishte dhe slogane si, “Shqipëri e madhe” që do të përfshinte jo vetëm minoritetet në Kosovë, por edhe në Mal të Zi dhe Maqedoni. Të tilla thirrje nacionaliste u shfaqën asokohe si një problem politik për Beogradin pasi serbët e konsiderojnë Kosovën “djepin e kombit”. Deri në vitin 1981, planet afatgjata për Kosovën nuk janë diskutuar hapur as nga Jugosllavia, as nga Shqipëria, e cila nuk i fshihte planet e saj për ta rimarrë atë. Marrëdhëniet mes dy vendeve u prishën pas trazirave ku Shqipëria mbrojti protestuesit dhe akuzoi Jugosllavinë se i kishte shtypur me dhunë kosovarët. Jugosllavia nga ana e saj, akuzoi palën shqiptare duke shprehur se “deklaratat e RPSSH pasqyronin një platformë të qartë politike të pretendimeve territoriale në dëm të Jugosllavisë, tensionet do të çojnë drejt një tjetër çështje etnike të diskutueshme në Ballkan”. Por një nga faktorët që e mbajti Jugosllavinë të bashkuar ishte besimi se çdo shenjë dobësie e brendshme do të shfrytëzohej nga fqinjët e saj, e para nga Shqipëria. Edhe pretendimi i Bullgarisë mbi Maqedoninë, ishte rrezik potencial për Jugosllavinë e asaj kohe. Gjithsesi, vdekja e Titos, de facto e shpejtoi shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, dhe çlirimin e plotë dhe të përhershëm të Kosovës, sipas një plani afatgjatë të zbuluar kohët e fundit edhe nga arkivat e qeverive të SHBA-ve.

Tefik OSMANI