Ambasadori i SHBA: Shtetet ta njohin Kosovën, pavarësia është e pakthyeshme

472
Ministria e Punëve të Jashtme e Qeverisë së Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë dokument zyrtar nga Republika e Surinamit, nëse ky vend e ka tërhequr njohjen e Republikës së Kosovës. Një vendim i tillë eventual nuk është konfirmuar deri më tani as nga Qeveria e Surinamit, ndërsa i vetmi që ka deklaruar këtë “tërheqje të njohjes”, është shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiç.
Por, a do të paraqisnin probleme tërheqjet eventuale të njohjes së Kosovës nga vendet e caktuara që tashmë e kanë njohur? Për këtë pyetje, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie, ka thënë se “Mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën është e palëkundur dhe e pandryshueshme. Fakti i pavarësisë së Kosovës është i pakthyeshëm”.
“Ne u bëjmë thirrje vendeve, të cilat ende nuk e kanë njohur formalisht këtë fakt, ta bëjnë një gjë të tillë dhe duke vepruar kështu, të ndikojnë në garantimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkan dhe të ndihmojnë në ruajtjen e një Evrope të tërë, e cila do të jetë e lirë dhe në paqe. Të dyja, si Kosova ashtu edhe Serbia, duhet të përqendrohen në rezultatin final dhe të arrijnë marrëveshje mbi atë që njihet si normalizim i marrëdhënieve. Kjo kërkon kompromise në të dy anët”, ka thënë ambasadori Delawie.
Ndërkaq, Jetlir Zyberaj nga kabineti i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se “tërheqja e njohjes” së Republikës së Kosovës nga Republika e Surinamit, e cila nga autoritetet e Beogradit pretendohet të ketë ndodhur, nuk është konfirmuar nga autoritetet e shtetit të Surinamit.
Republika e SurinamiT e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 8 qershor, 2016. Ky vend ndodhet në Amerikën Jugore, me sipërfaqe prej 163.820 kilometrash katrorë dhe ka mbi 550 mijë banorë.
Sigal