Ambasadori i ri SHBA-ve, Greg Delawie mbërrin në Kosovë

488
Ambasadori i ri i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, ka mbërritur në Prishtinë, ku nesër do të dorëzojë letrat e tij kredenciale te Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga, dhe pas takimit do të japin deklarata për mediat. Kjo bëhet e ditur në njoftimet e dërguara nga Ambasada e SHBA në Prishtinë dhe Presidenca e Kosovës. “Sa mbërrita në Prishtinë. Ndihem shumë mirë që jam në Kosovë, i emocionuar”, ka shkruar në rrjetin e tij social, Twitter, ambasadori Delawien. Ambasada Amerikane në Prishtinë në 30 mars njoftonte se, Presidenti Obama ka nominuar Greg Delawie-n që të shërbejë si ambasadori i ardhshëm i SHBA-ve në Kosovë. Ambasadori i ri amerikan në Kosovë në prezantimin e tij përmes videos duke paralajmëruar ardhjen në Prishtinë, është shprheur se, “është nder për mua të shërbej si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës. Pres ta vazhdoj miqësinë e gjatë mes shteteve tona”.
“Gjithmonë kam besuar në vlerën e marrëdhënieve mes popujve, jo vetëm mes qeverive. Vazhdimi dhe ndërtimi i lidhjeve të tilla me Kosovën, demokracinë më të re të Evropës, do të jetë njëri prej prioriteteve të mia kryesore”, ka theksuar ambasadori amerikan, Greg Delawie. Në fjalën në ceremoninë e betimit si ambasador në Republikën e Kosovës, në 24 korrik 2015, Delawie mes tjerash është shprehur: “Besoj që qytetarët e Kosovës e ndajnë vizionin tonë. Aspiratat e tyre e përfshijnë Kosovën si shtet demokratik, shumetnik, të njohur dhe në paqe me fqinjët e vet, me një qeveri që funksionon mirë dhe që e zbaton sundimin e ligjit dhe që është e lirë nga korrupsioni. Edhe ata e dëshirojnë një Kosovë që është në rrugë të qëndrueshme drejt anëtarësimit në institucionet kryesore evropiane. Dhe ata dëshirojnë një Kosovë ku me arsye mund të presin të gjejnë vende pune që do t’u ofrojë familjeve të tyre të ardhme pozitive”.
Sigal