Ambasadori hollandez : Refuzimi i Gjykatës Speciale, keq për vendin

464
Ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch ka deklaruar se tanimë është vendosur që Kosova duhet ta ketë një Gjykatë Speciale. Ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch ka deklaruar se tanimë është vendosur që Kosova duhet ta ketë një Gjykatë Speciale, por tash më mirë është që ajo mos të refuzohet pasi do të formohej prej OKB-së, ku janë edhe disa vende që nuk janë mike të Kosovës.
Ai po ashtu ka thënë se ende nuk dihet nëse gjykata do ta ketë selinë në Holandë, pasi që për këtë fillimisht duhet të merret leja dhe pajtimi i parlamentit holandez. Këto deklarata Bosch i ka bërë në një takim me studentët e Shkencave Politike të Fakultetit Filozofik, të Universitetit të Prishtinës.
“Para se gjithash me aq sa unë di, Gjykata Speciale do të vijë në Holandë nëse parlamenti ynë pajtohet me këtë. Derisa parlamenti ynë nuk di asgjë për këtë, pasi që ata nuk janë informuar ende. Ata natyrisht kanë lexuar nëpër gazeta, por zyrtarisht nuk janë informuar pasi që ne jemi duke pritur që së pari ky proces të përfundoj, pasi që ju e dini që parlamenti juaj nuk është pajtuar dhe nuk e ka diskutuar këtë çështje. Kështu që parlamenti ynë nukmund të merret me diçka që ende nuk ekziston”, ka thënë Bosch.
Ambasadori Bosch para studentëve ka thënë se Kosova ka nevojë për një Gjykatë Speciale, dhe se refuzimi i saj që po bëhet nga ana e opozitës nuk është i mirë, pasi që kjo do të thoshte se çështjet e përmendura për t’u trajtuar nga kjo gjykatë do të kalonin në një gjykatë që do të themelohej nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe aty ka shtete që nuk janë aq miqësore me Kosovën.
“Natyrisht që ju duhet Gjykata Speciale, sepse pak a shumë është vendosur se duhet ta keni atë, sepse po që se do ta refuzonit, do të ishte shumë keq për vendin tuaj, marrë parasysh se Gjykata do të themelohej nga OKB pastaj. Por, tani të paktën do të keni një gjykatë e cila s’do të jetë një gjykatë e OKB-së. Vendet që nuk janë mike me vendin tuaj, kanë shumë ndikim, prandaj dhe ka ardhur kjo ide për ta themeluar gjykatën de fakto, mbase jo de fakto por ligjërisht nën EULEX-in”, ka thënë Bosch.
Ndërsa, i pyetur për rikthimin e Listës Serbe në institucionet e vendit, Bosch ka thënë që nuk varet nga dëshira dhe mendimi i tij rikthimi i kësaj liste, duke shtuar se sipas kushtetutës është e përcaktuar që të ketë në parlament,qeveri dhe institucione të tjera edhe prezencë të komunitetit serb.
Sipas ambasadorit holandez, dy çështjet kryesore që duhet të fokusohet qeveria dhe institucionet vendore kanë të bëjnë me krijimin e vendeve të punës, si dhe me sundim të ligjit që nënkupton luftimin e korrupsionit.
Bosch para studentëve ka folur sërish për valën e fundit të migrimit ilegal nëpër vendet e BE-së, dukethënë se ky proces do të dëmtoj procesin e liberalizimit të vizave, si dhe ka përsëritur faktin se BE-në nuk jep azil për vendet si Kosova, i cili tashmë është i sigurt.
Holanda sipas ambasadorit Bosch pasi që ka qenë njëri ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën si shtet, ka ndihmuar atë në shumë fusha, si në lirit dhe të drejtat e njeriut, në pajtimin në mes komuniteteve, në sektorin e ekonomisë, si dhe në fushën e drejtësisë.
Marrë nga RTK 
Sigal