Ambasadori Hofman: Shqiptarët e mirëpaguar kërkojnë azil ekonomik në Gjermani

459
Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Helmut Hofman, ka qenë sot në pikën kufitare të Kakavijës i shoqëruar nga zv/ministrja e Brendshme Elona Gjebrea.
Vizita e Hofmanit ka qenë një inspektim i zakonshëm për të parë nga afër punën që bëhet në këtë pikë kufitare, punonjës gjermanë ofrojnë konsulencën e tyre për homologët shqiptarë prej 16 korrikut për parandalimin e qytetarëve shqiptarë që kërkojnë azil ekonomik në Gjermani.
“Lufta ndaj emigracionit të paligjshëm është në interes të dy shteteve, – tha Hofman. – Emigracioni nga vendet e Ballkanit Perëndimor po bëhet gjithnjë e më shqetësues. Vetëm në 6 muajt e parë të vitit, kanë aplikuar rreth 65 mijë vetë vetëm në Gjermani, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Serbia. Përafërsisht, 22 mijë vetë kanë qenë nga Shqipëria. Vetëm në qershor kanë kërkuar azil nga Shqipëria rreth 6 mijë veta”.
Hofman ka thënë se do të përshpejtohen procedurat e riatdhesimit të personave që kërkojnë azil dhe është shprehur i befasuar se qytetarë të mirëpaguar në Shqipëri po kërkojnë azil në Gjermani
“Nëse do të bënim një përllogaritje matematikore, në vit do të ishin 72 mijë shtetas shqiptarë që do të kërkonin azil në Gjermani, – vazhdon Hofman. – Jam informuar se njerëz të mirëpaguar në Shqipëri, po lënë vendin dhe po vijnë në Gjermani, ndaj është i nevojshëm bashkëpunimi mes dy vendeve për të parandaluar këtë fluks. Ne do të përshpejtojmë procedurat e kthimit të azilantëve brenda 4 javësh dhe të gjithë këta shtetas do të riatdhesohen, pasi nuk kanë mundësi për të qëndruar”.
Sigal