Alfano mbledhje urgjente, para ardhjes së emigrantëve nga kufiri me Slloveninë

486
Autoritetet italiane shprehen së fundmi të preokupuara për rrezikun e një fluksi të madh emigrantësh nga Sllovenia drejt Italisë.
Vendimi i fundit i Sllovenisë për ngritjen e dy kampeve refugjatësh përgjatë kufirit me Italinë, ka mobilizuar Ministrinë e Brendshme italiane në analizimin e skenarit të mundshëm të një drejtimi të ri të fluksit të emigrantëve që udhëtojnë përmes rrugës ballkanike drejt veriut të Europës.
Dy kampet e emigrantëvë të parashikuara nga autoritetet sllovene po pozicionohen përgjatë kufirit me provincën e Triestes e do të shërbejnë për strehimin e përkohshëm të emigrantëve që përmes Sllovenisë do të kalojnë në Austri.
Shqetësimi i Italisë lidhet me qëndrimin e shprehur disa herë nga Austria për mbylljen e kufijve dhe ndalimin e zbatimit të Traktatit Shengen.
Në rast të tillë emigrantët që udhëtojnë drejt Austrisë do të gjejnë rrugë të reja duke kaluar nga Sllovenia përmes kufirit italian drejt Gjermanisë.
Inspektori i Përgjithshëm i policisë së Udines, Claudio Cracovia, ka informuar mediat se monitorimet e fundit vërtetojnë se fluksi i emigrantëve po spostohet nga Kroacia drejt Sllovenisë me qëllimin final Austrinë e Gjermaninë.
Mbi këtë fakt Ministri i Brendshëm italian, Angelino Alfano, ka thirrur sot në Romë një mbledhje urgjente me drejtuesit e policisë kufitare të Triestes, Goricës e Udines.
Ndërkohë që në kufirin me Slloveninë, në komunën e Lazaretos, policia kufitare italiane po ngre një kamp refugjatësh në parapritje të skenarit të mundshëm të fluksit të emigrantëve nga ky shtet.
Po përgjatë kufirit slloven, Italia ka shtuar gjatë orëve të fundit patrullimin policor në kontrollin e rrugëve, autostradave dhe mjeteve të trasportit si dhe ka rritur numrin e forcave të rendit në territor.
Sigal