Albin Kurti: Do kërkoj referendum në Kosovë për bashkim me Shqipërinë nëse bëhem kryeministër

488
Në një intervistë Albin Kurti ka folur rreth situatës në Kosovë pas zgjedhjeve dhe për suksesin që Lëvizja Vetëvendosja ka arritur.

Kurti ka theksuar se Vetëvendosja si forcë e parë që ka dalë në këto zgjedhje ka të drejtën dhe mundësinë reale për të krijuar qeverinë në Kosovë.

I pyetur se nëse do të bëhet kryeministër i Kosovës a do të kërkojë bashkimin me Shqipërinë, Kurti ka theksuar se do t’i japë qytetarëve të Kosovës të drejtën për të vendosur me referendum për të gjitha çështjet madheore, përfshirë edhe bashkimin me Shqipërinë.
Pjesë nga intervista:
Keni paralajmëruar një politikë ndryshe edhe me Shqipërinë? Si do të jetë ajo?
Qeveria e LV do të jetë një lokomotivë e proceseve politike që do t´i afrojnë shumë e do t´i integrojnë disa segmentë të shoqërisë së Kosovës e Shqipërisë. Deri më sot politikat e përbashkëta janë kufizuar në mbledhje ceremoniale, në marrëveshje bilaterale pa institucione e mekanizma të përbashkët, në fotografi e në projekte të ngadalta apo të ndërprera. Do të jetë tjetër ritëm dhe tjetër shpejtësi me LV në qeveri. Bashkimi dhe koordinimi i tregjeve e i sektorëve prodhues, njësimi i praktikave administrative, bashkimi i sistemeve arsimore dhe atyre të prodhimit kulturor, ligat sportive të përbashkëta, koordinimi dhe njësimi i politikave fiskale e doganore. Pra, ka shumë fusha ku mund të veprojmë e ku do të veprojmë, bashkë me qeverinë e Shqipërisë, gjatë qeverisjes së LV.

Nëse do të bëheni kryeministër i Kosovës a do të kërkoni bashkimin me Shqipërinë?
Dëshira dhe interesi i qytetarëve tonë në të dy anët e kufirit të tilla janë. Këtë personalisht do ta kërkoj gjithnjë, pavarësisht pozitës ku do të ndodhem. Megjithatë është e rëndësishme që të sqarohemi se nuk e bën bashkimin kryeministri i Kosovës, por populli i Kosovës. Ajo çfarë do të bëjmë në qeverinë e LV, është që t´i japim popullit të Kosovës të drejtën e referendumit, të cilën sot nuk e ka. E drejta për referendum është një ndër themelet e të qenit sovran. E pastaj, kur të jetë e drejta për referendum, populli i Kosovës le të flasë vetë, kur të jetë momenti.
Sigal