Albana Melyshi –Lifschin/ Shënime nga dita e 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

599
Sigal

Dëshmi të gazetares nga Shqipëria për tragjedinë e 11 Shtatorit, ku terroristët goditën Kullat Binjake

Me afrimin e 11 shtatorit, pyetja “Ku ke qenë ti atë ditë?, vjen krejt natyrshëm në bisedat e amerikanëve. Atë ditë, unë u ndodha larg Nju Jorkut, në bazën ushtarake amerikane të Fort Polkut, Luiziana, me një detyrë të përkohshme, prej nga përcolla edhe këto mbresa: Fort Polk, Luiziana, 11 Shtator, 2001. Sot në mëngjes, lajmi i goditjes së Qendrës Tregtare Botërore në Manhatin me avionë të grabitur nga terroristët shokoi gjithë bazën ushtarake të Fort Polkut. E tronditur vrapova në zyrën e Radios “Ballkan”. Tek dera u përplasa me Dorothin, bosen time, e cila në vend të “mirëmëngjesit” të zakonshëm, më pyeti: -A fole me familjen në Nju Jork? A janë të gjithë mirë? Por ishte e pamundur të lidhesha me Nju Jorkun atë çast. Telefonat e bazës ushtarake ishin të gjithë të zënë nga njujorkasit. -Kam nevojë të kontrolloj e-mail-in, ndoshta kam ndonjë mesazh nga im shoq,- thashë me nxitim. Ajo më vuri dorën në sup. -Shpresoj që gjithçka të jetë OK dhe shtoi – Në tavolinë të kam lënë lajmet e sotme, të lutem merru me to. Sot, para regjistrimit të intervistave do japim lajmin e sulmit terrorist mbi Nju Jork e Pentagon. Këtu në bazën ushtarake amerikane të “Fort Polku”-t, në Luiziana, ndodhem vetëm për një muaj. Baza përgatit trupat amerikane që shkojnë në Kosovë për ruajtjen e paqes. Oficerët amerikanë veprojnë në kushte të përafërta me ato që do të gjejnë në Kosovë. Janë “ndërtuar” fshatra identike me emrat e tyre origjinal. Improvizohen situata të ngjashme me ato të jetës në Kosovë në periudhën e tanishme politike. Serioziteti me të cilin trajnohen ushtarët amerikane për t’i përballuar me sukses këto situata është i mahnitshëm. Ata janë të rinj, prindër, djem nënash që shkojnë në Kosovë e Maqedoni për të ruajtur paqen e qetësinë në rajon. Sot Amerika humbi qetësinë në shtëpinë e vet. Ne, të Nju Jorkut, jemi edhe më të tronditur se të tjerët, pasi kjo gjëmë që ndodhi pak më parë, lidhet me jetën e familjeve tona, miqve e shokëve që njohim e që punojnë në Manhatën.. Një vit më parë unë punoja vetëm dy blloqe larg WTC. Rrimë me zemër të ngrirë e shpresojmë të mos dëgjojmë të padëgjuarën, emra të afërmish, të njohurish, të cilët duke filluar nga dita e nesërme do të na mungojnë në jetën tonë. Midis tyre ka ndoshta edhe viktima të rastit, emigrantë të rinj që erdhën në Amerikë për një jetë më të mirë dhe terrorizmi u mori jetën mu në zemër të saj. Mendimi më shkon edhe tek këta ushtarë amerikanë, që dërgohen nëpër botë, mijëra mile larg për të stabilizuar paqen, për drejtësi e demokraci dhe dora terroriste u godet familjet e tyre këtu, në vendin e tyre. U lehtësova kur pashë mesazhin e tim shoqi. Më thoshte se qe bllokuar në Manhatin dhe nuk ishte i sigurt se kur do të bëhej e mundur të kthehej në shtëpi në Bruklin. U ula për të parë lajmet e CNN në internet. Sulmi terrorist qe shoqëruar me foto sipas fazave të ngjarjes. Ndjeva lotët të më shkisnin në mënyrë të pavetëdijshme. Të gjithë kemi ardhur në këtë vend për një jetë më të mirë. Amerika na e dha këtë mundësi. Ajo u dha strehë të gjithë atyre që kishin nevojën e saj. Amerika po shkon edhe në shtëpitë tona, në vendet, ku kemi lindur për të ndihmuar për paqe e demokraci dhe ja, terroristët ia ngulin thikën mu në zemër. Kjo është çfarë ndjejmë ne banorët e rinj të Amerikës sot. Shtetet, qeveritë, grupet ekstremiste mund të kenë ndjenja urrejtje për njëri -tjetrin, por është jashtë çdo logjike të vrasësh qindra e mijëra të pafajshëm. Fotografi terroristësh islamikë me armët e ngritura lart duke festuar “fitoren” kriminale, të paraqitura në internet nga CNN. Na duhet të mbledhim veten, e puna vazhdon si më parë. Në studion e radios hyn kapiteni Linsi, i cili së shpejti do shkojë në Maqedoni në përbërje të KFOR-it. Me kufjet në vesh është tërësisht i përqendruar në përgjigjet e pyetjeve. Pas pyetjes standarde ” Cili është qëllimi i misionit tuaj në Maqedoni” e pyes se si e priti gruaja e tij lajmin e nisjes të të shoqit në Ballkan. Ai buzëqesh e përgjigjet, se, si në çdo familje, largimi nuk sjell ndonjë kënaqësi, por sigurisht gruaja e mbështet misionin e tij totalisht. Është detyra ime, për të siguruar paqe e qetësi në Ballkan dhe unë duhet ta bëj atë ashtu siç duhet.” Radioja është ushtarake dhe nëpërmjet këtyre intervistave që ndiqen me monitor nga superiorët, të intervistuarit kalojnë provimin e trajnimit të tyre në Fort Polk. Zakonisht në këto raste ne i presim dhe tek dalin nga zyra, i pyesim miqësisht si dolën, por sot askush s’e ka mendjen. Të gjithë në zyra ndjekin lajmet e CNN. Presidenti paska qenë në Luiziana, para fluturimit në Nebraska. Në ekran intervista dëshmitarësh që kanë parë me sytë e tyre ngjarjen, shembjen e kullave të ËTC. Përsëri fotografi nga ngjarja. Zërat e spikereve të lajmeve kanë mbushur zyrat. Më rrëqethet mishi. Thirrje njerëzish në panik. Komentet e krahasojnë ngjarjen me goditjen e “Pearl Harbor”-it që shënoi hyrjen e Amerikës në Luftën e Dytë Botërore. Edhe kjo është e mjaftueshme për ta futur Amerikën në luftë të imponuar. Dikush hyn në zyrë e thotë që një vajzë shqiptare, gjatë stërvitjes, pas marrjes se lajmit, kishte zënë të qajë me të madhe: Tre vetë nga familja e saj punonin në Qendrën Tregtare Botërore. Nuk dihet fati i tyre. Heshtje varri. Mendja më shkon tek të njohurit e mi që punojnë në Manhatin. Kush tjetër punonte tek Kullat madhështore? Koha e shkuar e kësaj folje është drithëruese. Albana Melyshi Lifschin Fort Polk, Luiziana, 11 shtator 2001

Në Fort Polk, Luiziana

Radio Ballkan-Fort Polk, Luiziana, 2011, gjatë punës.

Këto foto janë bërë në bazën ushtarake amerikane të “Fort Polku”-t, shteti Luiziana, në shtator 2001. Baza përgatiste trupat amerikane që shkonin në Kosovë për ruajtjen e paqes… Në foto Albana Lifschin, Dorothy Hovvard dhe Elmira Mujo. Ne punonim për Radio- Ballkanin. Në foton e dyte, Albana duke lexuar lajmet nq studio, dhe në foton e tretë duke marrë në intervistë oficerët amerikanë që përgatiteshin për t’u nisur. Intervista ishte provim për ta; bazuar mbi përgjigjet që jepnin, eprorët e tyre që ishin të pranishëm gjatë intervistës, u vinin notën dhe u bënin sugjerimet përkatëse.

Shpjegim i ngjarjes. Fotot

Në “Fort Polk”, Luiziana

Në studio gjatë leximit të lajmeve në Radion Ballkan

Këto foto janë bërë në bazën ushtarake amerikane të “Fort Polku”-t, shteti Luiziana, nq shtator 2001. Baza përgatiste trupat amerikane që shkonin në Kosovë për ruajtjen e paqes… Ne foto Albana Lifschin, Dorothy Hoëard dhe Elmira Mujo. Në punonim për Radio Ballkanin. Në foton e dytë, Albana duke lexuar lajmet ne studio dhe në foton e tretë duke marrë në intervistë oficerët amerikanë që përgatiteshin për t’u nisur. Intervista ishte provim për ta; bazuar mbi përgjigjet që jepnin, eproret e tyre që ishin të pranishëm gjatë intervistës, u vinin notën dhe u bënin sugjerimet përkatëse.