Albana M. Lifschin/ Senatori Makarthi dhe paniku i kuq

546
Sigal

FBI-ja mbante dosje sekrete me informacion duke filluar që nga njerëz të thjeshtë deri tek vetë Presidenti

Në 20 shkurt 1950, Senatori Makarthi mbajti fjalimin e tij në Senatin amerikan për rrezikun komunist që kishte depërtuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke tërhequr vëmendjen e gjithë kombit. Për gjashtë orë me radhë senati dëgjoi fjalimin e Makarthit të mbushur me akuza, por pa evidenca. Lajmi u botua pa koment nga media dhe akuzat e tij publiku i mori si të mbështetura në fakte. Kishte mjaft njerëz që mendonin se komunistët kishin kohë që kishin depërtuar në shoqërinë amerikanë si pasojë e influencës se Bashkimit Sovjetik. Ata sillnin si shembull numrin e atyre që ishin arrestuar e dënuar si spiunë të Bashkimit Sovjetik, siç ishte rasti i çiftit Rosenberg që u akuzuan për dhënie informacioni sovjetikëve. Makarthi deklaronte që marrëveshjet e Yaltës dhe Postdamit gjatë dhe pas luftës se dytë botërore “ishin inxhineruar” në mënyrë të atillë për të favorizuar Bashkimit Sovjetik në kurriz të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjë që i justifikonte akuzat e tij deri në personalitetet më të larta shtetërore. Senati amerikan i ndodhur nën këtë presion filloi hetimin duke ngritur për këtë qëllim një komision të kryesuar nga demokrati fuqishëm nga Merilandi, Millard Tydings. Ndërkohë, nga ana e tij, senator Makarthi me ndihmën e FBI-së filloi fushatën në kërkim të emrave të rinj të dyshimtë pasi lista ku ai pat mbështetur fjalimin e vet, kishte qenë një listë e vjetërsuar e vitit 1948. Në mbledhjen e parë të komisionit në Mars 1950, në një ambient të mbushur me gazetare dhe kureshtare, Millard Tydings duke i ndërprerë fjalën disa herë, i kërkoi Makarthit të zbulonte emra reale. Senatori tha se atë kohë nuk ishte në gjëndre të jepte emra (të dyshimtët në listën e tij përfaqësoheshin me numra). Por edhe pse i vënë në pozitë të vështirë senatori nuk u ndal, por vazhdoi akuzat. Në raportin e 20 korrikut 1950 të lëshuar nga komiteti që drejtohej nga demokrati Tydings, thuhej se, “akuzat se në departamentin e shtetit Amerikan kishin filtruar komunistë ishin fals”. Pavarësisht nga zërat opozitare, Makarthi vazhdoi gjuetinë e tij i ndihmuar nga J. E. Hoover shef i FBI-së, një nga njerëzit më të fuqishëm e më të frikshëm të kohës. Emri i tij trondiste edhe zemrat e politikanëve të dëgjuar. FBI-ja mbante dosje sekrete me informacion duke filluar që nga njerëz të thjeshtë deri tek vetë Presidenti. Sa më shumë rritej frika, aq me shumë rriteshin edhe pasuesit e Makarthit. Ata që guxonin të mbronin viktimat akuzoheshin si komunistë apo simpatizantë të komunistëve. Metodat e tij u quajtën Makartizëm. Makartizmi luajti një rol të rëndësishëm në zgjedhjet e vjeshtës të vitit 1950. Nga fundi i vitit 1950, publiku amerikan i trembej kaq shumë rrezikut komunist sa 68 për qind e tyre kërkonin që partia komuniste të dilte jashtë ligjit. Senatori Makarthi deklaronte se demokratët dhe komunistët kanë aq shumë pikëpamje të ngjashme mes tyre, saqë demokratët duhet ta quajnë veten e tyre “komikrats.” Ngjarje shqetësuese qe publikimi nga stafi i Makarthit i një fotografie ku dukej demokrati Millard Tydings duke folur me një lider të partisë komuniste Earl Brouder. Fotografia në fakt qe një bashkim mekanik i dy fotografive të veçante që mashtronte duke krijuar një imazh të rremë. Megjithëse fotografia kishte një shënim me germa të vockla ku thuhej se qe një kompozim, shumë njerëz të ndikuar nga përshtypja e parë që linte ajo, e morën Millard Tydings për simpatizant të komunistëve. Kjo ndikoi në humbjen e demokratit Tydings në zgjedhje. Ndërkohë në shënjestrën e Makarthit u vu Hollivudi. Ai deklaroi se në Hollivud kishte më shumë se dy mijë aktorë, skenaristë, regjisorë e producentë komunistë. Filloi mbajtja e seancave të tëra të dëgjimit me objektiv çrrënjosjen e komunistëve nga Hollivudi. Ishte e mjaftueshme që dikush të thirrej për t’u pyetur dhe emri i tij të publikohej në listën e zezë. Kjo listë përfshinte gjithë emrat e artistëve të dyshimtë. Në fakt e përpiluar nga agjentët e FBI, lista e zezë praktikisht ndalonte bizneset për të punësuar personat e dyshimtë që kishin hyrë në të. Duke patur frikë se filmi apo programi televiziv mund të bojkotohesh nga publiku, biznesmenët dhe drejtuesit e kësaj industrie kontrollonin vazhdimisht listën e zezë para se të merrnin në punë artistët apo pranonin skenarët. E vetmja mënyrë nëpërmjet së cilës artistët mund të lanin veten e tyre ishte të jepnin emrat e kolegëve të tyre apo të spiunonin. Pati artistë që refuzuan të bënin punën e spiunit duke rrezikuar jetën e karrierën e të tjerëve. Aktorja Lillian Hellman deklaroi se nuk do të rrezikonte as “sot as në të ardhmen njerëz të cilët ishin plotësisht të pafajshëm, me qëllim për të shpëtuar veten e saj. Kjo do të ishte e pandershme dhe çnjerëzore”. Akuza u bënë edhe kundër avokatëve. Çdo avokat, që kishte mbrojtur një komunist apo simpatizant të tij, u quajt i dyshimtë. Në filtrin e komitetit hetimor kaluan unionet e punëtorëve të cilat kishin ende në përbërje të tyre komunistë apo kishin rënë nën influencën e tyre. Në vitin 1952, Makarthi ishte kandidat në zgjedhjet. Ai e ndërtoi gjithë fushatën e tij vetëm mbi një pikë: kërcënimin komunist. Makarthi fitoi me shumicë të konsiderueshme votash. Me këtë rast një editorial kurajoz të “Milwaukee Journal” shkruhej se të fitonte Makarthi do të thoshte të fitonte “mashtrimi, gënjeshtra, frika, mosrespektimi i parimeve të kushtetutës që mbrojnë të drejtat e qytetarëve.” Por ky artikull kaloi pa u vënë re. Pas zgjedhjeve, çështja e rrezikut të kuq ishte kaq e nxehtë sa nga 221 përfaqësues republikanë, 185 prej tyre zunë të punonin vullnetarisht për komisionin hetimor kundër aktiviteteve antiamerikane(HUAC) Ndërkohë, profesorët e universiteteve të shqetësuar mendonin se gjuetia e të dyshimtëve po dilte jashtë kontrollit. Kjo po i bënte njerëzit të ndrojtur e të rezervuar për të shprehur atë që mendonin. Dhe përderisa shkëmbimi i mendimeve ishte një gjë e rëndësishme në klasat e auditoret, profesorët e ndjenë veten të kërcënuar. Mirëpo kur guxuan të flisnin hapur, u akuzuan si prokomunistë. Mbi 300 mësues hynë në listat e të dyshimtëve dhe u thirrën në seanca dëgjimi. Ata që guxuan të kërkonin të mbroheshin nga amendamenti i 5- të i Kushtetutës u pushuan nga puna. Për të luftuar rrezikun komunist, drejtuesit e shkollave u hodhën në aksion për rishikimin e teksteve. Në shtëpitë e botimit erdhën udhëzime të mos botoheshin apo të hiqeshin nga qarkullimi libra të shkruar nga komunistët. Kërkimi për të kuqtë hyri deri në institucionet fetare. Frika ishte se mos priftërinjtë “u shërbenin Zotit të dielave, dhe pjesën tjetër të javës u shërbenin komunistëve.” Numri viktimave të makartizmit u bë i pallogaritshëm. Ata ishin nga të gjithë sektorët e jetës, punonjës të shtetit federal, yje të kinematografisë, avokatë, gjeneralë, punëtorë, mësues,etj. Kërkimi për “të kuqtë” bëhej shumë herë edhe në rrugë jozyrtare. Miqtë, komshinjtë, kolegët e punës gjykonin e dyshonin për njëri tjetrin. Ai që konsiderohej i dyshimtë humbiste miqtë dhe të njohurit. Qytetarët u ruheshin kontakteve me ta nga frika e pasojave. Ata kishin frikë të shprehnin atë që mendonin edhe pse i vinin re padrejtësitë. Nga disa historianë ky u quajt “brezi i heshtur” dhe periudha në të cilën jetonin u quajt “periudha e frikës së madhe”. Deri në vitin 1953 Xho Makarthi gjente të dyshimtët dhe priste që Senati apo komisionet hetimore të gjenin provat. Dhe kur ata nuk arrinin t’i gjenin ato, atëherë Makarthi hidhej në sulm kundër tyre. Zemërimi i tij tërhoqi vëmendjen veçanërisht kur ai i akuzoi demokratët për “20 vjet tradhti.” Në zgjedhjet e 52-it kur republikanët morën pushtetin dhe Ajzenauer (Eisenhower) u bë president, ata premtuan se do t’i gjenin dhe pushonin nga puna ” të kuqtë” në qeveri. Deri në vjeshtë të vitit 1953 ishin larguar nga puna në pushtetin federal rreth dymijë vetë. Prokurori i përgjithshëm atë kohë fajësonte demokratët dhe ish presidentin Truman për punësimin e tyre. Në një intervistë televizive, ish presidenti Truman dënonte këto akuza dhe e quante prokuronin “makarthist.” I ofenduar për përdorimin e emrit të tij në atë mënyrë, Makarthi kërkoi t’i kthente përgjigje ish presidentit nëpërmjet televizionit. Senatori sulmoi ish presidentin Truman duke deklaruar se administrata e tij kishte qenë plot me komunistë. Pas kësaj senatori shkoi edhe me tej duke sulmuar edhe udhëheqësin e partise se tij, Presidentin Ajzenauer. Makarthi shtronte pyetjen: Pse presidenti Ajzenauer la në kabinet Xhon Dejvisin? Xhon Dejvisi kishte qenë këshilltar në Kinë ku kishte kritikuar mbështetjen amerikane për Çan Kaj Shin. Ky qëndrim i Makarthit kundër presidentit e la me gojë hapur personelin e Shtëpisë së Bardhë. Pati republikanë që të zemëruar me Makarthin kërkuan që komiteti i tij të pushonte fare së ekzistuari. Por sondazher e organizuara ishin shokuese. Mbështetja për senatorin Makarthin qe rritur 16 për qind në muajt e fundit. Reth 50 për qind e amerikanëve mbështesnin senatorin në luftën kundër komunizmit. Xho Makarthi vazhdoi me sulmet e tij duke vënë në shënjestër ushtrinë amerikane. Ai kaloi në fyerje të hapura kundër gjeneral Ralph W. Zuicker, hero i Luftës së Dytë Botërore duke e quajtur atë të padenjë për të mbajtur uniformën e ushtarit amerikan. Kjo qe indinjuese. Ushtria, në 11 mars 1954, lëshonte një raport për shtyp ku e akuzonte Makarthin për përpjekjet e tij për të kërcënuar dhe influencuar padrejtësisht në ushtri. Makarthi u përgjigj akuzës duke thënë se sekretari i mbrojtjes e bënte këtë për ta detyruar Makarthin të ndalonte hetimet në ushtri. Gjendja u bë e rëndë. Akuzat e ndërsjella vazhdonin. Senati vendosi seancat e dëgjimit në 16 mars 1954. Rreth 20 milion amerikanë i ndiqnin ato nëpërmjet televizionit i cili kishte zëvendësuar programet e tij për 36 ditë me radhë. Konfrontimi me ushtrinë solli fundin e senator Xho Makarthit. Shumë njerëz u zhgënjyen keq. Nëpërmjet ekranit të televizorit ata panë senatorin duke gënjyer, panë arrogancën e tij ndaj anëtarëve të komitetit duke fyer këdo që guxonte t’i dilte kundër. Indinjata qe e madhe kur qytetarët panë avokatin e vjetër të ushtrisë, Xhozef Uellç (Joseph Welch) t’i rridhnin lotët nga fyerjet e paskrupullta të Makarthit. I verdhë dyllë në fytyrë avokati tha: “Deri këtë moment senator, unë nuk e kisha matur brutalitetin tuaj. Mjaft më… A keni sens dinjiteti ju? Spektatorët në sallë thirrën. Skena si kjo, të para në ekranin televiziv ndryshuan opinionin e njerëzve për senatorin. Edhe në mes mbështetësve më kokëfortë të Makarthit, pati nga ata që i kthyen kurrizin. Midis tyre ishte edhe radiokomentatori Kal Tenborn i cili tha se” Makarthi është bërë arrogant, mendjengushtë, i papërgjegjshëm. Pushteti e ka korruptuar”. Përpjekja e parë për ta lëvizur senatorin nga senati u bë nga shteti i tij, Uiskonsin. Fushata u zhvillua nën parullën “Xho duhet të largohet”. Përpjekja e dytë u bë në senat, në 30 qershor 1954, me prezantimin e një rezolute nga senatori Flanders për censurimin e Makarthit. Në bazë të evidencave komiteti Watkins, i ngritur për të gjykuar qëndrimin e Makarthit u përqëndrua në incidentet ku senator Makarthi kishte treguar mosrespekt për senatin, abuzimin e kolegëve senatorë, rastet kur ai kishte inkurajuar nëpunësit federal të thyenin ligjin për t’i dhënë atij informacion sekret dhe skandalin me gjeneralin Zuiker. Në 27 shtator komiteti bëri publik denoncimin e sjelljes të Makarthit ndaj senatit dhe sulmeve mbi gjeneralin Zuiker. Makarthi nga ana e tij e quajti këtë kritike publike, si një fitore të madhe për partinë komuniste. Në 2 dhjetor 1954 senati amerikan votoi mbi rezolutën. Të gjithë demokratët votuan kundër tij. 67 senatorë votuan për censurimin e Makarthit. Rezultati që i dhimbshëm për senatorin. Kur ai e mori fjalën në senat, shumë kolegë të tij u larguan nga salla. Në vitet që erdhën, numri i përkrahësve të tij ra në mënyrë të ndjeshme. Senator Makarthi ishte i vetmi senator që nuk ishte i mirëpritur në Shtëpinë e Bardhë. Në botë situatat ndryshuan. Pas vdekjes së Stalinit, në Moskë erdhi një udhëheqje e re, tolerante, që ishte e interesuar t’i jepte fund konfliktit korean. Për më tepër në fillim të vitit 1956, Nikita Hrushovi mbajti fjalimin e tij sekret lidhur me Stalinin. Kopjet e atij fjalimi, ku tregoheshin torturat e vrasjet staliniste, u botuan nga “New York Daily Worker” dhe zhgënjyen thellësisht anëtarët idealistë të partisë komuniste në Amerikë. Atë kohë partia komuniste numëronte rreth 20 mijë anëtarë në tërë Amerikën dhe shumë nga ata pas kësaj e braktisën partinë. Rreziku komunist erdhi duke u shuar. Po kështu edhe jeta e senator Xho Makarthit. Në vitin 1957 ai u shtrua disa herë në spital derisa vdiq nga ceroza në 2 maj 1957. Sidoqoftë viktimave që ai plagosi iu desh një kohë e gjatë për të rehabilituar veten e shëruar plagët e tyre ekonomike e goditjet morale që morën padrejtësisht nga “markatizmi”.