Albana M. Lifschin/ Nga historia e SHBA, zbulimi i floririt në Kaliforni

475
Sigal

Kjo ngjarje ka ndodhur në Kaliforni në mesin e shekullit të 19-të.

Në luginën e lumit Sakramento, një fermer i ardhur nga Zvicra kishte ndërtuar një shtëpi të bukur. Ai quhej Xhon Sater. Fermeri ishte punëtor i madh dhe rreth e qark ndërtoi dyqane e punësoi njerëz. Ndër të tjera Xhoni mendoi të ndërtonte edhe një mulli. Ai punësoi për këtë një djalë të ri të quajtur Xhejms Marshall.  Ishte janari i vitit 1848. Një ditë, Xhejmsi duke punuar buzë lumit vuri re në ujë disa copëza të vogla metali të shndritshëm. Ai zhyti dorën i mori ato prej andej dhe ia tregoi ndihmësit të tij. Ditën tjetër ndodhi e njëjta gjë. Atëherë ai i mblodhi copëzat e ndritshme dhe shkoi tek zotëria i tij, Xhoni. Të dy burrat vështruan me kujdes dhe e testuan metalin e ndritshëm e arritën në përfundimin që ishte flori. Vendosën ta mbanin të fshehur këtë sekret derisa të përfundonte ndërtimi i mullirit. Por merret me mend që një sekret i tillë ishte vështirë të mbahej. Një ditë në rrugët e San Franciskos u duk një burrë që mbante në dorë një shishkë të vogël. Duke e tundur dorën lart, ai thërriste: Flori! Flori nga lumi amerikan! Kur njerëzit dëgjuan atë thirrje u turrën drejt luginës së Sakramentos. Tregtarët mbyllën dyqanet. Detarët me t’iu afruar Kalifornisë braktisnin anijet. Fermerët harruan fermat. Gazetat e San Franciskos s’u shtypën se u ikën punëtorët. Ferma e Xhon Satrit në luginën e lumit Sakramento u shkatërrua. Njerëzit kthyen përmbys gjithë bregun e lumit duke gërmuar për të gjetur flori. Jo vetëm kaq, por ata rrëmbyen çdo gjë që mundën nga prona e Xhonit dhe nuk pyetën fare për të drejtat e tij.
Brenda pak muajve lajmi i gjetjes së floririt në lumin e Sakramentos u shpërnda në të tërë shtetet e Amerikës. Në vitin 1849 vërshimi i njerëzve për atje ishte i jashtëzakonshëm. Njerëzit që niseshin për të kërkuar floririn u quajtën 49-shat. Kishte tri rrugë nëpërmjet të cilave mund të arrihej në luginën e lumit. E para qe me anije. Ky ishte një udhëtim i gjatë dhe i vështirë. Më e shpejta anije mund të mbërrinte në San Francisko nga Nju Jorku për 90 ditë.  Disa të tjerë merrnin nga Panamaja në Pacifik. Njerëzit që udhëtonin me kuaj, shpesh binin në pritat e ‘indianëve’ e vriteshin. Shumë vdisnin nga etja. Por madje, as frika nga vdekja nuk i bëri 49-shat të zmbrapseshin. Për të porsaardhurit ngriheshin tenda. Popullsia në Kaliforni vetëm atë vit u rrit nga 6 mijë banorë në 85 mijë. Numri i ardhurve u shtua kaq shumë sa që ishte e mjaftueshme për të formuar një shtet. Qytetarët e Kalifornisë mbajtën një mbledhje në Monterei në 1849 dhe shkruan Kushtetutën e tyre ku deklaruan se, në shtetin e Kalifornisë skllavëria ishte e paligjshme. Edhe një herë amerikanët treguan se ishin të aftë për vetëqeverisje. Kalifornia kërkoi të hynte në Union. Pas një debati në kongresin amerikan, Kalifornia hyri në union si shtet i lirë, pa skllevër. Jeta në Kaliforni u bë interesante. Çmimet u ngritën në qiell. Të pirët e kumari u bënë të zakonshëm. Policia nuk ishte në gjendje të ushtronte detyrën. Së fundi, vetë qytetarët e morën në dorë situatën duke krijuar disa komitete që u quajtën “Komitete të Vigjilencës.”Me kalimin e viteve Kalifornia u bë një shtet në lulëzim.

(Nga libri i autores  ‘Udhëtim  në historinë e Amerikës’ bot.2003/ribot.2006/2010)